Protestat në Prishtinë në përgjigje të vrasjes së Arlinda Zekajt vazhdojnë edhe sot, me qytetarë të indinjuar që kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet për një rast që ka tronditur opinionin publik.
Me thirrjet “Arlinda nuk u mbrojt nga shteti” dhe “Ata njerëz kanë me u përgjigj”, protestuesit shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj institucioneve, duke kërkuar që të gjithë ata që janë përgjegjës për mosmbrojtjen e saj të japin llogari.
Protesta mbahet si shenjë revolte ndaj dështimit institucional për ta mbrojtur Arlindën, e cila kishte raportuar dhunën në familje në polici para se të vritej.
Pjesëmarrësit kërkojnë që rasti të mos përfundojë vetëm me reagime publike, por të pasohet me hetime të plota dhe masa konkrete ndaj çdo zyrtari që mund të ketë neglizhuar përgjegjësitë e tij.
Protestuesit kërkojnë drejtësi për Arlindën dhe llogaridhënie nga institucionet, duke theksuar se dështimet në trajtimin e rasteve të dhunës në familje mund të kenë pasoja fatale.