Nën rrënojat e godinës, u gjet trupi i pajetë i 69-vjeçarit Hamit Ibro, i cili ishte zhdukur që nga shpërthimi i së mërkurës në Elbasan.
Trupi i tij u nxor nga ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcave të Armatosura në mëngjesin e kësaj të enjte, pas disa orësh kërkimesh.
Shpërthimi i fuqishëm ndodhi në një apartament në lagjen “Qemal Stafa”, duke shkaktuar dëme të rënda në strukturën e godinës.
Si pasojë, muret e apartamentit dhe shkallët e pallatit u shembën, ndërsa tre kate të ndërtesës u bashkuan në një.
Nga ngjarja humbi jetën gjithashtu edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha, e cila banonte në apartamentin ngjitur me atë ku ndodhi shpërthimi.
Njëzet persona të tjerë, që pësuan asfiksi, morën ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në të gjithë godinën, e cila është shpallur e pabanueshme.
Banorët u evakuuan nga ekipet e emergjencës, ndërsa autoritetet po marrin masa për sistemimin e tyre.
Shkaqet e shpërthimit mbeten ende të paqarta, ndërsa dyshimet paraprake janë për një bombol gazi.