Shëndeti Mendor i Fëmijëve në Kosovë: Një Situatë Alarmante

Shëndeti mendor i fëmijëve dhe adoleshentëve është një nga çështjet më të lëna pas dore në nivel global dhe vazhdon të mos marrë prioritetin e duhur.

Vlerësohet se 10–20 për qind e fëmijëve dhe adoleshentëve përjetojnë probleme të shëndetit mendor, dhe rreth gjysma e të gjitha çrregullimeve të shëndetit mendor te të rriturit fillojnë deri në moshën 14 vjeçare.

Kështu thuhet në një raport të UNICEF-it lidhur me gjendjen e shëndetit mendor të fëmijëve në mbarë botën.

Në një tryezë diskutimi të organizuar nga Zyra e Kryeministrit në partneritet me UNICEF-in, u paraqitën statistika shqetësuese për shëndetin mendor të fëmijëve në Kosovë, referuar një raporti tjetër të UNICEF-it, i publikuar në gusht të këtij viti.

Sipas këtij raporti, përqindja e nxënësve 15 dhe 16-vjeçarë që kanë raportuar tentimvetëvrasje është rritur nga 3.4% në vitin 2011 në 10% në vitin 2024.

Por, çfarë tjetër thuhet në raportin “Hartëzimi i shërbimeve të shëndetit mendor dhe atyre psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë”?

Raporti evidenton sfidat në rritje të shëndetit mendor tek fëmijët dhe adoleshentët, përfshirë ankthin, depresionin, shqetësimin emocional dhe traumën, si dhe boshllëqet e rëndësishme në qasjen në shërbime mbështetëse.

Gjetjet tregojnë se, ndonëse shërbimet ofrohen në disa sektorë, sistemet e mbështetjes mbeten të fragmentuara dhe qasja në to nuk është e barabartë.

Kjo është veçanërisht e theksuar për fëmijët nga grupet e cenueshme dhe për ata që jetojnë jashtë zonave të mëdha urbane.

Kosova ka një nga popullsitë më të reja në Evropë, me më shumë se 423,000 fëmijë nën moshën 18 vjeç, që përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë.

Në këtë raport të UNICEF-it thuhet se ky profil demografik krijon një mundësi të madhe për zhvillimin e kapitalit njerëzor, por njëkohësisht u vë institucioneve një detyrim të qartë për të mbrojtur dhe promovuar shëndetin mendor dhe mirëqenien psikosociale të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Një fëmijë i lindur sot në Kosovë pritet të arrijë vetëm 57 për qind të potencialit të vet, kryesisht për shkak të kufizimeve në shëndetësi dhe arsim.

Varfëria, papunësia, pjesëmarrja e ulët e grave në tregun e punës dhe përqindja e lartë e të rinjve që nuk janë në arsim, punësim apo trajnim krijojnë trysni strukturore që prek fëmijët, familjet dhe komunitetet.

Fëmijët dhe adoleshentët në Kosovë rriten në një kontekst ku ndërthuren rreziqe të shumta.

Dëshmitë tregojnë nivele të larta të shqetësimit emocional, ankthit, disponimit të ulët, simptomave të lidhura me traumën, përdorimit të substancave, rreziqeve digjitale, bullizmit dhe dhunës në shkolla e në shtëpi.

Fëmijët nga grupet e cenueshme, si ata nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, fëmijët me aftësi të kufizuara, ata që jetojnë në zona rurale ose në familje me të ardhura të ulëta, preken në mënyrë joproporcionale dhe përballen me pengesa shtesë për sigurinë, përfshirjen dhe qasjen në shërbimet thelbësore.

Këto sfida vënë në pah rëndësinë që shërbimet e shëndetit mendor dhe shërbimet psikosociale të jenë të qasshme, të barabarta dhe t’u përgjigjen nevojave të ndryshme të fëmijëve dhe adoleshentëve. “Për ta kuptuar më mirë kapacitetin e sistemeve ekzistuese në adresimin e këtyre nevojave, UNICEF-i porositi hartëzimin e shërbimeve të shëndetit mendor dhe të shërbimeve psikosociale për fëmijët dhe adoleshentët në Kosovë, i cili u realizua në partneritet me Institutin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës.

Qëllimi i hartëzimit ishte të vlerësonte shkallën e përgatitjes së sistemeve ekzistuese për t’iu përgjigjur nevojave të fëmijëve dhe adoleshentëve, të identifikonte boshllëqet dhe pabarazitë në shërbime, si dhe të propozonte prioritete praktike për një përgjigje më koherente dhe shumësektoriale në fushën e Mbështetjes për Shëndetin Mendor dhe Mirëqenien Psikosociale (MSHMMPS)”, thuhet në raport.

Hartëzimi konfirmon një barrë të lartë dhe në rritje të shqetësimeve të shëndetit mendor dhe atyre psikosociale te fëmijët dhe adoleshentët në Kosovë.

Dëshmitë tregojnë nivele të konsiderueshme të ankthit, depresionit, ankesave somatike dhe simptomave të ndërlidhura me traumën te adoleshentët, ku nivele më të larta të shqetësimit raportohen te vajzat, të rinjtë që jetojnë në varfëri dhe fëmijët e ekspozuar ndaj dhunës në familje ose në shkollë.

Kosova gjithashtu mbart një trashëgimi të pasluftës, me dëshmi të transmetimit të traumës ndër breza nga prindërit te fëmijët.

Kjo e bën shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve një çështje jo vetëm klinike, por gjithashtu një shqetësim më të gjerë shoqëror dhe zhvillimor.

Një nga gjetjet më urgjente është se mendimet dhe tentativat për vetëvrasje te nxënësit e moshës 15 dhe 16 vjeç janë rritur ndjeshëm përgjatë cikleve të Projektit Evropian të Anketave në Shkolla për Alkoolin dhe Drogat e tjera (ESPAD), ku tentativat për vetëvrasje të vetëraportuara në mesin e nxënësve në Kosovë u rritën nga 3.4 për qind në vitin 2011 në 10.0 për qind në vitin 2024. “Këto prirje dëshmojnë nevojën për parandalim më të fortë, identifikim të hershëm, reagim ndaj krizave dhe mbikëqyrje të vetëvrasjeve.

Aktualisht, Kosova nuk ka një sistem unik regjistrimi e monitorimi të vetëvrasjeve, që mund të ofrojë të dhëna të besueshme dhe të ndara sipas moshës për vdekjet nga vetëvrasja te adoleshentët, tentativat për vetëvrasje, faktorët e rrezikut dhe kontaktet me shërbimet”, thuhet në raport.

Rreziqet janë të pranishme në gjithë ekologjinë sociale të fëmijës.

Në nivel të familjes, disiplina e dhunshme, dhuna në familje, komunikimi i dobët, migrimi i prindërve, vështirësitë ekonomike dhe trauma e prindërve shtojnë cenueshmërinë, ndërsa marrëdhëniet e qëndrueshme dhe kohezive familjare mbeten faktorë mbrojtës.

Në nivel të shkollës, bullizmi, dhuna nga bashkëmoshatarët, ngarkesa shkollore, krahasimi shoqëror dhe përfshirja jokonsistente e fëmijëve me aftësi të kufizuara e minojnë mirëqenien.

Në nivel të komunitetit, stigma, diskriminimi, martesa e fëmijëve, puna e fëmijëve, migrimi dhe qasja e dobët në shërbime shtojnë rrezikun për fëmijët tashmë të margjinalizuar.

Mjediset digjitale janë shndërruar në një burim shtesë shqetësimi, ku prindërit dhe fëmijët raportojnë bullizëm kibernetik, përmbajtje të dëmshme, kontakte të pasigurta në internet, llogari të rreme, imazhe të ndryshuara në mënyrë digjitale dhe prirje të internetit që mund të shkaktojnë dëme të mëdha në jetën reale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *