Fabrika e Municionit në Jahoc: Pse Premtimet Enden në Përralla?

Para dy vjetësh, u tha se në fshatin Jahoc të Gjakovës do të hapej një fabrikë për prodhimin e municionit.

Një vit më parë, u njoftua se plumbat e parë «Made in Kosova» do të prodhoheshin deri në fund të vitit 2026.

Tani që jemi në fund të vitit 2026, në vend të plumbave, kemi përralla.

Pse gënjen kjo qeveri?

Më 27 nëntor 2025, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, me tupanë e me brohoritje, premtuan se fabrika për prodhimin e municioneve në Jahoc do të nxirrte në treg municionet e para deri në fund të vitit 2026.

Ky vit po përfundon dhe është mbetur më pak se dy muaj.

E fabrika?

Municioni?

S’janë askund, s’duken askund, asnjë gjurmë.

Kështu njofton «Koha Ditore».

Tani militantët e Vetëvendosjes le të fillojnë sulmet ndaj gazetarëve – këtyre armiqve të shtetit dhe të prosperitetit.

Procedurat për ndërtimin e fabrikës filluan në vitin 2024.

Në vitin 2025, u njoftua se «hapësira prej më shumë se 100 hektarësh do të shndërrohet në zonë industriale për prodhimin e municionit për ushtri e polici, pasi Qeveria ka marrë vendim për shpronësimin e pronave të ish-kombinatit Ereniku».

Hajde mashalla!

Gazetarja e «Kohës Ditore», Valbona Bytyçi, profesioniste dhe e vëmendshme, tani ka shtruar pyetjen më normale gazetareske: çka ndodhi me fabrikën për të cilën kam shkruar vitin e kaluar?

U ndërtua?

Ku janë fishekët?

Ajo ka shkuar në vendin e ngjarjes, në fshatin Jahoc.

Ajo ka informuar se «…më 13 shtator, në ekspozenë e tij si mandatar për kryeministër, (Albin) Kurti deklaroi se ‘prodhimi i municionit është paraparë të nisë brenda vitit 2026’».

Vetëm nëse fishekët prodhohen nga inteligjenca artificiale ose nëse fabrika është ndërtuar nën sipërfaqen e tokës, sepse, sipas «Kohës Ditore», «të mërkurën u panë kamionë dhe eskavatorë duke lëvizur dheun nga një pjesë në tjetrën, ndonëse qasja për të parë nga afër punimet nuk ishte e mundur».

Kur ndërtojnë fabrika të paqena, zyrtarët e kësaj qeverie nuk i lënë gazetarët të afrohen.

Por premtimet e tyre janë të bukura. «Mund të them që në fund të vitit të ardhshëm do t’i kemi plumbat e parë që do të prodhohen në Kosovë», tha një anëtar i Qeverisë më 27 nëntor 2025.

Por deri tani ka ndodhur vetëm një lëvizje e dheut.

Ministria e Mbrojtjes ka thënë se «mbetemi të përkushtuar» për realizimin e projektit.

Sa përkushtim, kjo qeveri është kampione botërore.

Realizimi çalon, por kush e shqetëson për pak.

Nuk po e shqetësojmë as këtë fakt: më 2018, para tetë vjetësh, nisi ndërtimi i autostradës për Gjilan, por ende nuk ka përfunduar as segmenti i parë, Banullë–Bresalc, prej 22,31 kilometrash.

Lexoni mirë: tetë vjet – as 22 kilometra.

Gjashtë qeveri nuk e kanë përfunduar, por prej tyre më së gjati në pushtet ka qenë qeveria e Vetëvendosjes – qeveria e fjalëve të mëdha dhe e dembelisë epokale.

Projekti i plotë deri te Dheu i Bardhë parashihet të ketë 47,1 kilometra.

Sipas raportit të fundit të Radios Evropa e Lirë, deri në fund të vitit 2025 ishin shpenzuar rreth 50,2 milionë euro, ndërsa vlera e përgjithshme e parashikuar në buxhetin e vitit 2026 është 183,7 milionë euro.

Milionat parashihen, planifikohen, disa digjen, harxhohen, zhduken, avullohen, ama autostrada nuk është askund.

Arsyetimet janë këto: gabime në projektim dhe rrëshqitje të dheut.

Një problem tjetër: shpronësimet e papërfunduara.

Probleme të tjera: zvarritja e punimeve dhe ndërprerja e kontratave.

Plus: dobësi në mbikëqyrje dhe parregullsi në pagesa.

Holy shit!

Do të thoshte ndonjë zëdhënës i Gjeneratës Z.

Sipas Radios Evropa e Lirë, ish-ministri Liburn Aliu ka përmendur edhe pandeminë dhe shtrenjtimin e materialeve pas fillimit të luftës së Rusisë në Ukrainë si faktorë që vështirësuan zbatimin e kontratave të lidhura me çmime më të hershme.

E gjetëm fajtorin: Vlladimir Putini e ka bllokuar ndërtimin e autostradës për në Gjilan.

Për rajonin e Anamoravës nuk duhet pasur mëshirë fare.

Ka dërguar në Prishtinë deputetë të paaftë, të cilët në Kuvendin e Kosovës janë keqpërdorur vetëm si «shtazë për votim» – tingëllon tragjike, por është e vërtetë.

Të kthehemi në botën e fantazisë: Hasan Hyseni, mërgimtar me banim në Zürich, me origjinë nga fshati Muçibabë, do të vijë në Kosovë për festat e Vitit të Ri, bashkë me kushërinjtë e tij nga fshati Muçivërc.

Që tani kanë filluar të gëzohen të gjithë: kur të kalojnë nëpër autostradën e re për në Gjilan, më 31 dhjetor 2026, do t’i nxjerrin alltitë e reja dhe do të shtijnë në ajër me fishekët e prodhuar në fshatin Jahoc të Gjakovës.

Gëzuar Vitin e Ri!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *