Joe Hoxha Fiton Mandatin e Tretë në Connecticut, Ndërsa Kandidatët e Tjerë Shqiptarë Pësuan Humbje

Republikani Joe Hoxha ka arritur të fitojë mandatin e tretë në Dhomën e Përfaqësuesve të Connecticut-it, duke e mposhtur kandidatin demokrat Nate Brown me një diferencë të ngushtë prej vetëm 164 votash, sipas rezultateve jozyrtare të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hoxha, i lindur në Tiranë, ka siguruar gjithsej 4,585 vota, që përbëjnë 50.91% të votave, ndërsa Brown ka marrë 4,421 vota, ose 49.09%.

Hoxha ka fituar në Plymouth me 400 vota diferencë, por humbi në Bristol me 236 vota.

Fitorja e tij ndodhi gjatë një nate të suksesshme për demokratët, të cilët, sipas projeksioneve të CBS News, pritet të fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin amerikan.

Në distriktin fqinj, republikania Cara Pavalock-D’Amato, e cila kishte shërbyer për gjashtë mandate, humbi ulësen e saj.

Ndërkohë, disa kandidatë të tjerë me prejardhje shqiptare nuk arritën të fitojnë garat zgjedhore.

Në New York, republikani Diamant Hysenaj ka humbur përballë kongresmenes Alexandria Ocasio-Cortez në distriktin e 14-të të Kongresit.

Hysenaj, i cili kishte emigruar nga Kosova në vitin 1991 dhe ishte vendosur në Bronx, ka marrë 21.54% të votave, kundrejt 78.22% të Ocasio-Cortez, me 97% të rezultateve të numëruara.

Po ashtu, demokrati Shpetim “Tim” Qorraj, që kishte ardhur në SHBA nga Kosova në vitin 2011, humbi garën për distriktin e 64-t të Asamblesë së New Yorkut, duke siguruar 39.33% të votave, ndërsa republikani Michael Tannousis fitoi me 60.53%.

Në Connecticut, republikani Peter Lumaj humbi garën për sekretar të shtetit përballë demokrates Stephanie Thomas, e cila aktualisht mban këtë pozitë.

Me rreth 90% të vendvotimeve të raportuara, Lumaj kishte siguruar 37.53% të votave, ndërsa Thomas 62.47%.

Lumaj kishte kandiduar për të njëjtën pozitë edhe në vitin 2014.

Ndërkohë, republikania Alma Sarelli, e cila garonte për një ulëse të hapur në Senatin e Connecticut-it në distriktin e 26-të, pësoi humbje nga demokratja Samantha Nestor me 34.6% kundrejt 65.4% të votave.

Sarelli e pranoi humbjen gjatë natës së zgjedhjeve, duke i uruar suksese kundërkandidates së saj në punën për distriktin.

Në Michigan, demokratja Edlira Sako ishte duke humbur garën për distriktin e 24-të të Senatit të shtetit përballë republikanit Doug Wozniak, me 53 nga 66 vendvotime të raportuara, ku Sako kishte marrë 37% të votave, ndërsa kundërkandidati i saj 63%.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *