Policia e Shtetit ka bërë një njoftim zyrtar për shkaqet e shpërthimit të fuqishëm që ndodhi një ditë më parë në një pallat në Elbasan, ku dy persona humbën jetën.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se shpërthimi dhe zjarri që pasoi janë shkaktuar nga prania e një sasie të tepruar gazi në banesën e 69-vjeçarit Hamit Ibro.
Në njoftimin e Policisë, theksohet se dyshimi paraprak për shkakun e shpërthimit buron nga veprimet hetimore të kryera nga Drejtoria Vendore e Policisë në Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.
Me përfundimin e operacionit të kërkim-shpëtimit dhe nxjerrjen e trupit të 69-vjeçarit, vëmendja tani është përqendruar në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes tragjike në lagjen “Beqir Dardha”.
Ndërkohë, specialistët e Institutit të Ndërtimit pritet të analizojnë gjendjen e godinës dhe shkallën e dëmtimeve, për të përcaktuar nëse pallati mund të jetë ende i banueshëm.
Paralelisht, është e nevojshme të zgjidhet çështja e strehimit për banorët që u detyruan të lënë banesat pas shpërthimit.
Bashkia e Elbasanit ka njoftuar se do të koordinojë me institucionet përgjegjëse masat për sistemimin e tyre dhe ndërhyrjet që do të diktohen nga ekspertiza teknike. “Në vijim të informacionit të dhënë dje, për zjarrin në katin e tretë të pallatit në lagjen “Qemal Stafa”, informojmë se pas disa orësh kërkimesh intensive, nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile dhe Zjarrfikësit, u gjet, rreth orës 00:40, trupi i pajetë i pronarit të banesës ku ra zjarri, shtetasit H.
I., 69 vjeç.
Si pasojë, humbi jetën në vendngjarje shtetasja H.
B., 82 vjeçe.
Gjithashtu, 10 banorë të tjerë u dëmtuan në të njëjtin pallat, të cilët morën asistencë mjekësore dhe u larguan nga ambientet e spitalit, ndërsa pati dëme të shumta materiale.
Duke u bazuar në veprimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vazhdon këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe veprimet e tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për vlerësim, njofton policia.