Rekomandimi për Suspendimin e Drejtorit të Prokurimit në Policinë e Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar sot Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës që të pezullojë nga detyra drejtorin e Prokurimit në këtë institucion.

Sipas njoftimit të IPK-së, hetuesit janë angazhuar në një hetim paraprak ndaj këtij zyrtari, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe për çështje që lidhen me konfliktin e interesit në proceset e prokurimit publik.

Dyshimet hetimore përfshijnë rrethana që lidhen me dhjetëra kontrata të prokurimit, të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale.

Në kuadër të hetimit, janë duke u shqyrtuar vendimmarrja, mënyra e zhvillimit të procedurave, si dhe respektimi i kritereve dhe detyrimeve ligjore nga personat përgjegjës.

IPK ka theksuar se rekomandimi për suspendim është bërë me qëllim të garantimit të integritetit dhe mbarëvajtjes së procesit hetimor, deri në përfundimin e hetimit penal.

Ndërkohë, Inspektorati, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të dyshimeve.

IPK ka theksuar se për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimit, në këtë fazë nuk mund të ofrojë detaje të tjera lidhur me rastin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *