Lëvizja Revolta ka organizuar sot një aksion simbolik për të shprehur shqetësimin lidhur me gjendjen në Policinë e Kosovës.
Sipas tyre, Ministria e Punëve të Brendshme dështoi në sigurimin e kapelave për ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të të kandidatëve të Policisë.
Në këtë ngjarje, Lëvizja Revolta vendosi një diplomë të madhe për të gjithë policët e rinj, të cilët, sipas tyre, do të fillojnë detyrën e tyre pa uniforma, në kushte të papërshtatshme pune. “Për gjeneratën e 63-të të Policisë së Kosovës, sot do të ishte dita e pestë e punës, por fatkeqësisht Ministria nuk arriti t’i sigurojë kapelat për diplomim me 1 nëntor, prandaj e shtyu ceremoninë për 6 nëntor.
Jo sepse me 6 nëntor do të vinin kapelat e reja, por sepse brenda pesë ditësh arritën të siguronin huazimin e kapelave të vjetra të policëve në detyrë, deri në përfundimin e ceremonisë.
Pyetja që na sillet ndër mend është: Kush i hëngri kapelat?
Prandaj, në shenjë simbolike kemi vendosur edhe një diplomë të madhe për të gjithë policët e rinj, të cilët do ta fillojnë punën në mungesë të uniformave, në mungesë të kushteve të punës, në mungesë të pagave dinjitoze, në mungesë të sigurimit të punës dhe atij shëndetësor.