Seanca gjyqësore për rastin ‘Lotaria Shtetërore’, e cila ishte planifikuar të mbahej sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, është shtyrë.
Seanca e radhës tani është caktuar për më 11 nëntor.
Të pandehur në këtë rast janë ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ish-drejtori i ‘Lotarisë Shtetërore’ Përparim Bajrami dhe gjashtë persona të tjerë.
Seanca e fundit dëgjimore u zhvillua më 30 tetor, kur dëshmoi Andrej Krstevski, këshilltar për zbatimin e projektit në ‘Lotarinë Shtetërore’, i cili ka qenë anëtar i Bordit Drejtues dhe Mbikëqyrës, si dhe zëvendësdrejtor i kompanisë.
Ai shpjegoi mënyrën e vendimmarrjes në kompani dhe procedurën për prokurimin e terminaleve VLT.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë lidhur me prokurimin e terminaleve VLT, dëshmitari tha se ishte informuar personalisht për idenë nga Bajrami dhe se kishte mësuar për procedurën menjëherë pas përfundimit të saj nga anëtarët e komisioneve përgjegjëse për kryerjen e procedurave.
Ndryshe, më 3 nëntor, Këshilli Penal në Gjykatën Themelore Penale në Shkup ia hoqi masën e paraburgimit Bajramit dhe pranoi një garanci në pasuri të paluajtshme me vlerë 1.140.781 euro.
Përveç garancisë, ndaj tij u vendosën edhe masa paraprake, duke përfshirë sekuestrimin e dokumentit të udhëtimit dhe paraqitjen e rregullt në Gjykatë.
Të akuzuar përveç Grubit dhe Bajramit janë edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.
Sipas aktakuzës, duke tejkaluar autorizimet e tyre zyrtare, ata i shkaktuan dëm ‘Lotarisë Shtetërore’ në shumën prej 596.125.511 denarësh.
Të gjithë të pandehurit deri tani janë deklaruar të pafajshëm në procedurë.