Psikiatri Liron Pepshi: Mungesa e Komunikimit nga Ministria e Shëndetësisë është shqetësuese

Liron Pepshi, psikiatër dhe psikoterapeut nga Gjakova, i cili aktualisht punon në Gjermani, ka shprehur shqetësim për mungesën e komunikimit nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.

Ai thekson se ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë për të kontribuar në sistemin shëndetësor të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Pepshi ka njoftuar se për gati katër vjet nuk ka pasur asnjë kontakt nga Ministria e Shëndetësisë dhe asnjë ftesë për bashkëpunim, pavarësisht angazhimit të tij për të ndihmuar vendlindjen me përvojën dhe ekspertizën e tij profesionale.

Ai ka publikuar një letër të Ministrisë së Shëndetësisë, datë 15 dhjetor 2022, në të cilën ishte njoftuar se aplikimi i tij për t’u angazhuar në mbështetje të sistemit shëndetësor të Kosovës si profesionist shëndetësor nga mërgata ishte pranuar.

Në këtë letër, Ministria e Shëndetësisë e kishte njoftuar Pepshin se ekipi i burimeve njerëzore ishte duke shqyrtuar aplikacionet e pranuara dhe se po planifikonin rezervimin e termineve për takime individuale, të cilat mund të zhvilloheshin edhe në formë virtuale.

Po ashtu, në letër është thënë se ai do të kontaktohej përmes emailit nga njëri prej zyrtarëve të ministrisë për të planifikuar takimin dhe se do të mbahej i informuar për statusin e aplikimit.

Megjithatë, sipas Pepshit, pas kësaj përgjigjeje nuk ka pasur asnjë komunikim tjetër nga institucionet shëndetësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *