Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka shprehur zhgënjimin e saj lidhur me mënyrën se si po trajtohet kërkesa e studentëve shqiptarë për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Sipas ASH, pas muajsh premtimesh dhe angazhimesh nga VLEN për të gjetur një zgjidhje të këtij problemi, sot kryeministri Mickoski ka njoftuar se pjesa praktike e provimit, ku simulohet procedura penale dhe civile, do të vazhdojë të zhvillohet në gjuhën maqedonase, ndërsa vetëm pjesa teorike do të mund të jepet në gjuhën e studimeve. “Ku është VLEN në këtë rast që premtoi para studentëve zgjidhje të plotë, që provimi i jurisprudencës do të mbahet në shqip, si në teori ashtu edhe në praktikë.
Sot, kur duhej të zbatonte këtë premtim, VLEN hesht dhe ofron një zgjidhje të pjesshme dhe kërkon durim nga studentët duke lënë pas një premtim të rëndësishëm publik,” tha ASH. “Gjithashtu, përgjegjësia e Ministrisë së Drejtësisë është e madhe.
Fillimisht refuzoi kërkesën e studentëve, më vonë diskutoi propozime të ndryshme dhe të paqarta.
Kjo tregon mungesë vullneti politik dhe qëndrueshmëri për një çështje që prek drejtpërdrejt të drejtat e qytetarëve,” u shpreh ASH. “Gjuha e procedurës nuk është një pengesë teknike, por një çështje vullneti politik.
Nëse sistemi gjyqësor funksionon në gjuhën shqipe në komunat ku flitet shqip, nuk ka arsye që pjesa praktike e provimit të mbetet vetëm në maqedonisht.
Aleanca për Shqiptarët kërkon që provimi i jurisprudencës të mbahet në shqip në tërësi, si në pjesën teorike ashtu edhe në atë praktike,” theksojnë ata. “Ne kërkojmë ndryshimin e menjëhershëm të ligjeve përkatëse dhe harmonizimin e tyre me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Duam afate konkrete dhe përgjegjësi personale nga ministri i Drejtësisë dhe nga VLEN.
Zgjidhje të njëjtë duhet të ketë edhe për provimet e noterisë dhe të përmbarimit.
Studentët shqiptarë nuk po kërkojnë asgjë më shumë sesa të drejtën e tyre që garantohet me ligj dhe kushtetutë.
Ata kërkojnë barazi dhe mundësinë për të ushtruar profesionin në gjuhën e tyre amtare,” përfundojnë nga ASH.