Kryeministri Kurti Takon Personalitete Franceze në Paris për Mbështetje të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim në Paris me disa figura të njohura franceze dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar në mbështetje të Kosovës, një ditë para fillimit zyrtar të Forumit të Paqes.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti njoftoi se në këtë takim ishin të pranishëm ish-ministri i Mbrojtjes, Alain Richard, oficeri dhe ish-zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, Gilles Pernet, antropologia dhe studiuesja Véronique Nahoum-Grappe, drejtoresha e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, Frédérique Duversin, si dhe gazetarja dhe ish-korrespondentja e Le Monde, Florence Hartmann.

Kurti i vlerësoi ata si miq të Republikës së Kosovës dhe e theksoi kontributin e tyre të çmuar për vendin.

Ai veçoi mbështetjen e Alain Richardit për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, angazhimin e Véronique Nahoum-Grappe për dokumentimin e dhunës seksuale gjatë luftërave dhe konflikteve, si dhe kontributin e Florence Hartmannit në njohjen e drejtësisë ndërkombëtare dhe zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor.

Sipas Kurtit, gjatë takimit u diskutua për përparimin demokratik të Kosovës, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, investimet në siguri dhe mbrojtje, si dhe planet për mandatin e ri qeverisës.

Një nga temat e bisedës ishte edhe vendimi i 16 shtatorit, të cilin Kurti e cilësoi si të padrejtë, duke shprehur angazhimin për ta korrigjuar atë në procedurën e apelit.

Kryeministri gjithashtu theksoi rolin e Francës në rrugën e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik, duke shkruar: “Për rolin e rëndësishëm të Francës në rrugën e Republikës së Kosovës drejt integrimit euro-atlantik.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *