Miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara: Dakordimi mes Partive Politike

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, njoftoi se është arritur një marrëveshje me shumicën parlamentare për të proceduar Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar për miratim në Kuvend, pa ndryshime në këtë fazë.

Deliu-Kodra, gjatë mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, ku diskutohej vendimi i Presidentes për kthimin në rishqyrtim të këtij ligji, theksoi se PDK-ja, si parti sponsorizuese e ligjit, ka zhvilluar negociata me përfaqësuesit e shumicës parlamentare. “Gjatë këtyre ditëve, PDK-ja, si parti sponsorizuese e këtij ligji, ka pasur negociata me partinë që e përfaqëson shumicën parlamentare për mënyrën se si ne do ta trajtojmë ligjin në fjalë.

Ne jemi dakorduar që ta kalojmë ligjin”, u shpreh ajo.

Megjithatë, Deliu-Kodra theksoi se palët nuk kanë arritur marrëveshje për ndryshimin e përmbajtjes së ligjit në këtë fazë.

Ajo e vlerësoi se amendamentimi i ligjit është i mundur, por shumica parlamentare kishte një interpretim tjetër.

Sipas saj, ligji duhet të procedohet për miratim në formën në të cilën është kthyer nga Presidentja, ndërsa më pas të fillojë një proces i ri për ndryshimin e tij.

Deliu-Kodra theksoi se në Kuvend do të votohet versioni aktual i ligjit dhe se për miratimin e tij nevojiten 61 vota.

Ajo i bëri thirrje kolegëve të saj për të mbështetur procedimin e mëtejmë të ligjit.

Ndërkaq, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, shprehu mbështetje për procedimin dhe miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ai theksoi se Kuvendi ka për detyrë ta shqyrtojë dekretin e Presidentes në përputhje me Rregulloren e Punës.

Tahiri theksoi se AAK-ja ka kërkuar që Kosova të marrë përgjegjësitë e saj sa më shpejt dhe të ndihmojë ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, kërkoi që të niset një proces i ri ligjbërës, duke adresuar shqetësimet e ngritura.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, sqaroi se kthimi i ligjit nga Presidentja nuk nënkupton anulimin e tij, por aktivizimin e procedurës për rishqyrtim parlamentar.

Ai theksoi se përgjegjësia e Komisionit është të shqyrtojë arsyet e kthimit dhe të përgatisë raportin për seancën plenare, ndërsa vendimi përfundimtar i takon Kuvendit.

Qorrolli gjithashtu bëri dallimin ndërmjet rikonfirmimit të ligjit dhe mundësisë për ndërhyrje të reja, duke theksuar se Kuvendi ka vetëm dy mundësi në këtë rast.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *