Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurit me inicialet S.L. dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit për një periudhë prej 30 ditësh.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, përmendet se ka dyshime të bazuara se i pandehuri S.L., më 10 tetor 2026 në orën 16:30, në fshatin Pjetërshan të Komunës së Gjakovës, pas një mosmarrëveshjeje pronësore, ka tentuar me dashje ta privojë nga jeta vëllain e tij, H.L., dhe ka rrezikuar jetën e kushëririt të tij, P.L., duke shtënë katër herë me armë zjarri të tipit AK-47.
Si pasojë e këtyre të shtënave, të dy të dëmtuarit kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë.
Në njoftim, gjithashtu, theksohet se i pandehuri S.L. ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar armë, duke shkelur Ligjin mbi armët të Republikës së Kosovës, duke përfshirë armën automatike të tipit AK-47, një pushkë gjuetie, si dhe 10 fishekë të kalibrit 12 dhe një fishek të kalibrit 7.62mm.