Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka sqaruar situatën në Kuvendin e Kosovës lidhur me betimin ushtarak të djalit të tij në Forcat e Armatosura të Republikës së Kroacisë.
Quni njoftoi se publikimi i fotografisë së betimit të të birit në rrjetet sociale ishte një shprehje e gëzimit prindëror, megjithatë, sipas tij, ky veprim shkaktoi një fushatë linçimi dhe keqpërdorimi.
Ai mohoi akuzat se kishte shfrytëzuar pozitën e tij si deputet për ta dërguar djalin në ushtrinë e një shteti të huaj, duke theksuar se Dritoni ka lindur, është shkolluar dhe jeton në Kosovë, por ka edhe shtetësinë kroate. “Dritoni nuk ka shkuar në ushtrinë kroate përmes ndonjë ndikimi politik apo privilegji, por iu përgjigj ftesës ligjore për shërbim të detyrueshëm ushtarak, si shtetas i Kroacisë,” shpjegoi Quni.
Ai shtoi se si çdo familje që gëzohet me sukseset e fëmijëve, e ka ndarë këtë moment të rëndësishëm në rrjetet sociale, por ndjehet i detyruar të përballet me akuzat e pabaza dhe manipulative. “Djali ynë Dritoni dha betimin ushtarak në Forcat e Armatosura të Republikës së Kroacisë.
Për fat të keq, ky gëzim prindëror u bë shënjestër e një fushate të ulët linçimi dhe keqpërdorimi.
E vërteta është se Dritoni ka lindur, është shkolluar dhe jeton në Kosovë.
Ai, si çdo shtetas tjetër i atij vendi, iu përgjigj ftesës ligjore për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, njësoj si qindra të rinj shqiptarë që shërbejnë në ushtritë perëndimore,” përfundoi ai.