Ekonomia globale po kalon nëpër një transformim të thellë.
Zhvillimi i teknologjisë digjitale po ndryshon rrënjësisht mënyrën si veprojmë si individë, si organizata dhe si shoqëri e tërë; po ndikon në produktet që prodhojmë, në vlerën e shtuar dhe sidomos në teknologjinë që përdorim në punë.
Ky proces shfaq dy anë: anën pozitive dhe anën negative.
Teknologjia digjitale ka hapur mundësi zhvillimi që më parë ishin të paimagjinueshme.
Nëse do të përfitojmë nga këto mundësi, kjo varet nga qasja jonë ndaj këtyre proceseve.
Me fjalë të tjera, sa do të përfitojmë varet nga aftësia jonë për t’u përshtatur.
Duke pasur një qasje strategjike, të menduar mirë dhe që adreson kërkesat e kohës, mund të na mundësojë të kalojmë disa stade konvencionale të revolucioneve industriale që shtetet e zhvilluara kanë përjetuar gjatë zhvillimit të tyre.
Cilat janë mundësitë që ofron teknologjia digjitale?
Ka shumë.
Për shembull, përmes platformave digjitale të sotme, prodhuesit – dhe jo vetëm ata – mund të kontaktojnë direkt klientë kudo në botë për blerje të lëndës së parë, tregtim të mallrave dhe shërbimeve, blerje të teknologjisë etj.
Përvoja e suksesshme e kompanive në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Kosovë tregon se ekonomitë e vogla mund të krijojnë vlerë nacionale jo vetëm me mallra dhe industri konvencionale, por edhe me shërbime, duke u mbështetur në aftësi digjitale.
Përdorimi i teknologjisë digjitale mund të përmirësojë ndjeshëm produktivitetin në sektorë si bujqësia.
Mjetet digjitale mundësojnë inspektimin dhe gjurmimin e produktit nga kultivimi primar deri te blerësi.
Po ashtu, në sektorin e shërbimeve, siç është turizmi, agjentët ekonomikë mund të kontrollojnë cilësinë e shërbimeve gjatë gjithë vitit përmes mbledhjes dhe analizës digjitale të të dhënave.
Megjithatë, siç u tha më lart, zhvillimi i teknologjisë digjitale mund të jetë një shpatë me dy tehe.
Ai hap mundësi zhvillimi, por mund të sjellë edhe pasoja negative.
Nëse këto trende zhvillimore teknologjike nuk absorbohen siç duhet, mund të ndëshkojnë duke rritur hendekun me vendet e zhvilluara.
Absorbimi i suksesshëm i këtyre trendeve kërkon një ndryshim themelor në kuptimin e zhvillimit.
Sot, vetëm përmirësimi i kushteve të zhvillimit dhe qasja më e madhe e firmave në resurse ekonomike nuk mjafton.
Kjo qasje konvencionale ka dominuar mënyrën se si janë krijuar politikat e zhvillimit në Kosovë dhe Shqipëri.
Shpesh, është nisur nga supozimi se nëse kushtet përmirësohen, zhvillimi do të vijë automatikisht dhe hendeku do të ngushtohet.
Sigurisht, përmirësimi i kushteve për zhvillim është i nevojshëm.
Sidoqoftë, hendeku mes nesh dhe vendeve të zhvilluara nuk buron vetëm nga kushtet e ndryshme për zhvillim, resurset financiare dhe qasjen në teknologji e tregje.
Dallimet janë të pranishme, por ato nuk janë e vetmja arsye që përcakton hendekun e zhvillimit.
Pjesa kryesore e hendekut buron nga dallimi në aftësitë produktive, domethënë në aftësinë e agjentëve ekonomikë për të përdorur, kombinuar dhe përshtatur resurset në mënyrë produktive.
Agjentët tanë ekonomikë vazhdojnë të kenë vështirësi për të ndërtuar përvoja apo sisteme, përmes të cilave akumulojnë vazhdimisht aftësi produktive.
Përvoja e ekonomive të përparuara tregon se ky është mekanizmi qendror që mundëson organizatave ekonomike të përparojnë në aktivitetet e tyre produktive.
Përhapja e këtij mekanizmi në firma dhe sektorë ekonomikë lejon ndryshimin e strukturës produktive të çdo ekonomie.
Vetëm përmes transformimit të strukturës produktive të ekonomisë krijohet mundësia për të zvogëluar hendekun e zhvillimit me ekonomitë e avancuara.
Sigurisht, organizatat ekonomike janë vendet ku aftësitë produktive ndërtohen dhe zhvillohen.
Por, roli i institucioneve publike dhe i shtetit është i rëndësishëm në këtë kontekst.
Institucionet e shtetit duhet të krijojnë politika zhvillimore që mbështesin këtë proces.
Ekzistojnë shumë probleme dhe sfida që nuk mund të adresohen me sukses vetëm nga organizatat ekonomike.
Një shembull i tillë është prodhimi i kuadrove të diplomuara nga institucionet arsimore që nuk i duhen industrisë; kjo është një çështje që duhet të adresohet nga shteti në bashkëpunim të ngushtë me aktorët e tjerë të zhvillimit.
Një tjetër shembull do të ishte krijimi i qendrave për transferimin e teknologjisë, të cilat për shkak të kostove nuk mund të adresohet nga organizatat ekonomike.
Detyrë kryesore e institucioneve të shtetit është të identifikojnë, së bashku me aktorët e tjerë, problemet themelore që pengojnë zhvillimin.
Më pas, duhet të ndërtojnë politika që adresojnë këto probleme dhe që monitorohen dhe rregullohen sipas nevojave që dalin nga terreni.