Mbështetje për Çiftet e Reja në Shqipëri: Paketë e Re për Strehim në Buxhetin 2027

Projektbuxheti i Shqipërisë për vitin 2027 do të ofrojë një paketë të zgjeruar mbështetje për strehimin e çifteve të reja, përmes kredive me kushte të lehtësuara dhe subvencionimit të qirasë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e njoftoi këtë lajm në rrjetet sociale, duke prezantuar disa nga masat që kanë për qëllim t’u ofrojnë të rinjve më shumë mundësi për të blerë banesën e tyre të parë.

Sipas Ramës, në kuadër të buxhetit për vitin e ardhshëm, janë parashikuar gjithsej 4 mijë kredi të lehtësuara për blerjen e shtëpisë së parë.

Prej tyre, 2 mijë kredi do të ofrohen me normë interesi zero për blerjen e apartamenteve me vlerë deri në 60 mijë euro, ndërsa 2 mijë të tjera do të kenë normë interesi të subvencionuar në masën 3 për qind.

Përveç mbështetjes përmes kredive, programi parasheh edhe një mekanizëm për familjet e reja që nuk i plotësojnë aktualisht kushtet financiare për të përfituar kredi bankare.

Për këtë kategori është parashikuar bonusi i qirasë, me synimin për të ulur barrën e shpenzimeve mujore për strehim.

Rama e cilësoi sigurimin e një banese si një nga nevojat dhe dëshirat kryesore të çifteve të reja, duke theksuar se qëllimi i këtyre politikave është krijimi i kushteve që më shumë të rinj të ndërtojnë familjen dhe të ardhmen e tyre në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *