Komuna e Prishtinës ka filluar procesin e nënshkrimit të kontratave të reja për mësimdhënësit e nivelit parauniversitar, me qëllim që të unifikojnë këto kontrata në nivel komunal.
Kjo nismë është kundërshtuar nga SBASHK-u, i cili ka kërkuar konsultime paraprake dhe harmonizim të kontratave me të gjitha komunat e Kosovës.
Si rezultat i marrëveshjes mes palëve, ky proces është shtyrë deri më 31 janar 2027.
Sipas komunës, qëllimi është që të harmonizohen dokumentet që rregullojnë marrëdhëniet e punës për mësimdhënësit.
Megjithatë, modeli i ri i kontratës ende nuk është bërë publik.
Arianit Elshani, Drejtor i Arsimit në Prishtinë, thekson se ndryshimet nuk do të prekin përmbajtjen e punës së mësimdhënësve, por do të fokusohen në harmonizimin e referencave ligjore. “Në aspekt përmbajtësor, më raport me punën e tyre në terren, ka ndryshime në çështjen e orëve, 40 orë në javë, ka të bëjë me strukturën, me përmbajtjen, me referencat ligjore.
Më shumë trajtohen nga aspekti juridik, puna nuk ndryshohet, por çka kemi kërkuar është unifikimi”, shprehet Elshani.
Megjithatë, mënyra se si do të trajtohet orari i punës ka ngjallur shqetësime nga ana e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit.
Ata kanë shprehur kundërshtimin e tyre për nënshkrimin e kontratave të reja pa negociata paraprake me përfaqësuesit e sindikatës, duke theksuar se kontrata nuk është harmonizuar për të gjithë Kosovën.
Lidhur me shqetësimet se kontratat e reja mund të obligojnë mësimdhënësit të qëndrojnë tetë orë në ditë në shkollë, Elshani sqaron se një interpretim i tillë nuk është i saktë. “Dua të theksoj faktin e 40-orëshit dhe qëndrimit 8 orësh që u diskutu gjerë e gjatë në Prishtinë, kjo nuk qëndron, duke marrë parasysh rrethanat dhe legjislacionin për këtë çështje”.
Njohësit e arsimit gjithashtu mbështesin idenë e një kontrate unike për mësimdhënësit në nivel vendi. “Rishikimi i kontratave nga komuna e Prishtinës, duhet me u siguru që ka bazë të mirëfilltë ligjore, që nuk ia cenon kontratat aktuale dhe nuk e cenon kohëzgjatjen e tyre.
Ajo që është e rëndësishme është një dialog më komunitetin e mësimdhënësve në mënyrë që ta garantojë që ky tranzicion përtej bazës ligjore të ketë edhe mikpritje dhe të mos shihet si cenim i punës dhe integritetit të mësimdhënësve”, thekson Rinor Qehaja, njohës i arsimit.
Në fund, SBASHK-u ka arritur marrëveshje me komunën e Prishtinës për të shtyrë këtë marrëveshje deri më 31 janar të vitit të ardhshëm, për t’i dhënë mundësi edhe komunave të tjera që ta shqyrtojnë një kontratë të tillë, me qëllim që ajo të jetë unike në të gjithë vendin.