Ministrja Rizvanolli kërkon hetim për interpretimin e këngës nacionaliste serbe në Bruksel

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka cilësuar si skandaloze dhe tronditëse interpretimin e këngës nacionaliste serbe gjatë koncertit të mbajtur para Forumit të Rritjes në Bruksel, duke kërkuar një hetim të plotë për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Në një konferencë për media, Rizvanolli theksoi se kjo ngjarje është shqetësuese jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë popujt e rajonit që janë prekur nga luftërat nacionaliste të Serbisë.

Ajo përmendi reagimet e ambasadorit të Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, dhe kryenegociatorit me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj.

Rizvanolli vlerësoi gjithashtu reagimin dhe kërkimfaljen e komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, por theksoi se kjo çështje duhet të hetohet deri në fund. ‘Do ta quaja skandaloze atë çfarë ka ndodhur dhe tronditëse për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm shqiptarët, për të gjithë ata në rajon që janë prekur nga luftërat nacionaliste të Serbisë.

Për këtë çështje kanë reaguar këto, siç i keni parë, ambasadori në Bruksel, zotëri Agron Bajrami, si dhe kryenegociatori me BE-në, Jeton Zulfaj.

Ne kemi parë këtë kërkim falje, megjithatë po presim që për këtë çështje të ketë një hetim deri në fund, për të parë se si dhe pse ka ardhur deri këtu.

E çmojmë reagimin e komisioneres dhe kërkim faljen e komisioneres Kos.

Megjithatë, konsiderojmë që duhet të shihet, duhet të hetohet se si ka ardhur deri te kjo’, tha Rizvanolli.

Kënga patriotike serbe ‘Oj Kosovo, Kosovo’, e cila përmban pretendime historike dhe politike serbe mbi Kosovën, është interpretuar në Bruksel në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, organizuar nga Komisioni Evropian dhe nën udhëheqjen e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos.

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, shprehu keqardhje për interpretimin e melodisë së një kënge nacionaliste serbe, që përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës, gjatë një aktiviteti të organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *