Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prizren kanë bërë të ditur një komunikatë të përbashkët mbi rastin e një 26-vjeçareje që humbi jetën pas shoqërimit në polici, si pjesë e një operacioni kundër trafikimit të narkotikëve në Vërmicë.
Rasti, që po hetohet për veprat penale si “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Hetimi i vdekjes”, ndodhi më 15 nëntor 2026.
Sipas komunikatës, aksioni i policisë është realizuar pas informacioneve operative dhe hetimore nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, në lidhje me dyshimet për përfshirje në trafikim të narkotikëve.
Rreth orës 18:00, në Vërmicë, policia ndaloi një veturë BMW me targa lokale, ku ndodheshin një mashkull dhe një femër, të dy shtetas të Kosovës.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti dhe konfiskoi 105.7 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, dy fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy telefona celularë.
Me urdhër të prokurorit kompetent, më pas është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit mashkull, ku u gjet dhe u konfiskua një pajisje për identifikimin e GPS-ve dhe kamerave.
Pas intervistimit, prokurori vendosi që të dyshuarit mashkull t’i caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ndërkohë, gjatë fillimit të intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, gjendja shëndetësore e të dyshuarës femër u përkeqësua.
Për këtë arsye, është kërkuar ndihma emergjente nga Spitali i Përgjithshëm në Prizren.
Pas marrjes së ndihmës mjekësore në vendngjarje, ajo është transportuar në spital për trajtim të mëtejshëm.
Megjithatë, rreth orës 01:30, Policia është njoftuar nga mjekët kompetentë se 26-vjeçarja kishte ndërruar jetë.
Pas kësaj ngjarjeje, për rastin janë njoftuar njësitet përgjegjëse hetimore të Stacionit Policor në Prizren, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), si dhe prokurori kujdestar.
Njësitet kompetente policore, përfshirë hetuesinë dhe forenzikën, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore për dokumentimin dhe sqarimin e rrethanave të rastit.