Maqedonia e Veriut është renditur ndër vendet me përdorimin më të ulët të rripit të sigurisë në rajon, me vetëm 40.1 për qind të pasagjerëve që e përdorin atë.
Në krahasim, Shqipëria ka një përqindje prej 75.8%, Kosova 53.8%, Mali i Zi 59.6%, Bosnja dhe Hercegovina 64.8%, ndërsa në Serbi arrin deri në 90.7%.
Drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të Transportit, Talis Linkaits, theksoi se fushata e studimit për Ballkanin Perëndimor shqyrton përdorimin e rripave të sigurisë dhe të ulëseve për fëmijë në gjashtë vendet partnere të rajonit.
Të dhënat për Maqedoninë e Veriut tregojnë se përdorimi i rripit të sigurisë ende nuk është bërë rutinë, veçanërisht për pasagjerët dhe ata që ulen në ulëset e pasme të automjetit. “Bashkëpunimi ynë me Maqedoninë e Veriut përfshin sistemet teknologjike të avancuara për sigurinë rrugore, legjislacionin për sigurinë në komunikacion dhe bashkëpunimin rajonal për përmirësimin e të dhënave dhe reagimin në raste emergjente.
Ne do të vazhdojmë të ofrojmë udhëzime dhe ekspertizë për zbatimin më të shpejtë të prioriteteve në fushën e sigurisë rrugore,” tha Talis Linkaits.
Zëvendësministrja Kaltrina Zekolli vlerësoi se siguria në komunikacion është më shumë se thjesht një çështje rregullore dhe infrastrukture; ajo është para së gjithash mbrojtje e jetës së njerëzve. “Kjo është gjithashtu arsyeja pse iniciativat rajonale, siç është ‘Moment for Life’, janë kaq të rëndësishme.
Sfidat në sigurinë rrugore nuk ndalen në kufijtë kombëtarë.
Përmes bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe përafrimit të politikave me standardet evropiane, mund të ndërtojmë një rajon më të sigurt dhe më të ndërlidhur.
Le të kujtojmë se çdo vendim që marrim, çdo masë që zbatojmë dhe çdo veprim në rrugë mund të bëjë ndryshimin,” tha Kaltrina Zekolli.
Ndërsa zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, e vlerëson sistemin ‘Safe City’ si një aleat të fortë për shpëtimin e jetës së njerëzve. “Miratimi i Strategjisë Kombëtare për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor paraqet një bazë të rëndësishme për një qasje sistematike në uljen e viktimave dhe lëndimeve të rënda, në përputhje me objektivat evropiane dhe parimet e ‘Vision Zero’,” tha Astrit Iseni.
Në Maqedoninë e Veriut, të dhënat tregojnë se përdorimi i rripit të sigurisë ndryshon sipas llojit të automjetit.
Në automjetet private, rripin e përdorin 77.8 për qind e fëmijëve në ulëset e pasme dhe 64.9 për qind e shoferëve.
Ndërsa në automjetet komerciale, rripin e përdorin 64.9 për qind e shoferëve dhe 55.7 për qind e pasagjerëve.