Incident në Bruksel: Reagimi i Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas incidentit të ndodhur gjatë një koncerti në Bruksel më 15 nëntor, ku u interpretua një këngë nacionaliste serbe. “Isha në kontakt edhe me kryeministrin dhe i shpreha keqardhjen për atë që ndodhi, diçka që nuk duhej të kishte ndodhur”, u shpreh Kos në debatin e zhvilluar më 17 nëntor në Komisionin për Çështje të Jashtme dhe Evropiane të Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës.

Ajo sqaroi se repertorin e kishte zgjedhur grupi muzikor që performoi në koncert, dhe se Komisioni Evropian, si organizator, nuk e kishte miratuar paraprakisht. “Sa i përket pjesës muzikore: siç e thashë, grupit muzikor i dhamë udhëzime se çfarë donim, por nuk e miratuam secilën këngë veç e veç.

Më vjen shumë keq për këtë sepse Kosova e meriton gjithë mbështetjen tonë dhe do ta marrë atë”, tha ajo, duke shprehur keqardhje edhe pas incidentit.

Në koncertin me titull “Meloditë e unitetit: Harmoni nga udhëkryqi i Evropës”, përveç pjesëve muzikore nga vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, u interpretua edhe melodia e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”.

Teksti i saj përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe kundërshton heqjen dorë prej saj.

Gjatë interpretimit, vetëm melodia u luajt, pa u kënduar vargjet, ndërsa titulli shfaqej në ekran.

Ky incident nxiti reagime të shumta nga përfaqësues qeveritarë dhe të opozitës në Kosovë, si dhe në Parlamentin Evropian, të cilët kërkuan shpjegime për përzgjedhjen e repertorit.

Muzikanti slloven Marko Hatlak, pjesë e grupit Kapobanda, kërkoi falje përmes rrjeteve sociale, duke thënë se përzgjedhja e këngës ishte një gabim i paqëllimshëm, pasi nuk kishte qenë në dijeni të kontekstit historik dhe politik të saj.

Në këtë ngjarje të organizuar në Bruksel, Kosova nuk mori pjesë.

Megjithatë, Donika Emini, eksperte e çështjeve evropiane, ishte e pranishme dhe tha se beson se përzgjedhja e melodisë nuk ishte rezultat i pakujdesisë. “Nuk mendoj që është prej pakujdesisë”, theksoi ajo, duke shtuar se organizatorët do të duhej të kishin treguar më shumë kujdes ndaj ndjeshmërive historike dhe politike të rajonit.

Emini gjithashtu theksoi se ky incident ngre shqetësime për qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, veçanërisht në një kohë kur të dyja palët përpiqen t’i riparojnë marrëdhëniet pas tensioneve të fundit. “Ndikimi është shumë i madh”, deklaroi ajo, duke paralajmëruar se ngjarja mund të ketë pasoja negative në dialogun Kosovë-Serbi dhe në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Brukselit.

BE-ja vazhdon të ndërmjetësojë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe u kërkon të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve, pas një periudhe të gjatë ngecjeje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *