Të hënën do të publikohet rezultati i referendumit studentor, ku do të mësohet se cilin model të subvencionimit të shujtës preferojnë studentët.
Trupi Nacional Studentor ka njoftuar se rezultatet do të jenë të gatshme menjëherë pas përfundimit të procesit dhe përgatitjes së dokumentacionit.
Kjo iniciativë vjen pas paralajmërimit nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, për një sistem të ri të subvencionimit të ushqimit për studentët, i cili do të zbatohet nga viti akademik 2027.
Megjithatë, Trupi Nacional Studentor kërkon që rritja e shumës për shujtën studentore të zbatohet menjëherë, pavarësisht modelit të përzgjedhur. “Deklarimi kombëtar do të zgjasë deri të dielën, në orën 23:59.
Pas përfundimit të procesit dhe përgatitjes së dokumentacionit, menjëherë do t’i publikojmë rezultatet.
Të hënën do të bëjmë të ditur se cilin model kanë përzgjedhur studentët, cila do të jetë shuma dhe cilët do të jenë hapat e mëtejshëm.
Pavarësisht nëse studentët do të votojnë për një model të ri, digjital apo për modelin ekzistues, qëndrimi ynë mbetet se shujta studentore duhet të rritet menjëherë, pasi nuk është rritur prej tre vitesh,” deklaroi Angella Vasilevska nga Trupi Nacional Studentor.
Studentët e mbështesin propozimin për rritjen e shumës nga 3,500 në 4,500 denarë, por kundërshtojnë që kjo rritje të hyjë në fuqi nga 1 tetori i vitit 2027.
Sipas tyre, një shtyrje e tillë do të rrezikonte që shuma e propozuar të mos i përgjigjej më kostos së jetesës dhe nevojave të studentëve në momentin e zbatimit. “Studentët studiojnë tani dhe kanë nevojë për ushqim tani.
Me 140 denarë sot nuk mund të blihet pothuajse asgjë.
Nuk mund të pritet deri në vitin 2027, sepse deri atëherë inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës do ta bëjnë të pamjaftueshme edhe shumën prej 4,500 denarësh.
Studentët kërkojnë që të respektohen të drejtat e tyre dhe të zbatohen ligjet,” tha Angella Vasilevska.
Tani mbetet të shihet nëse institucionet do të marrin parasysh kërkesën e studentëve për rritjen e menjëhershme të shujtës, pa pritur zbatimin e sistemit të ri në vitin akademik 2027-2028.