Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për kryerjen e të paktën tetë rasteve të vjedhjeve të rënda në banesa në Fushë Kosovë, gjatë muajve tetor dhe nëntor të këtij viti.
Sipas njoftimit të Policisë, pas një hetimi dymujor, Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Fushë Kosovë ka realizuar një operacion më 18 nëntor, ku janë arrestuar tre shtetas kosovarë me inicialet A.B., F.H. dhe M.K.
Të dyshuarit dyshohet se kanë kryer vjedhje në disa banesa, ndërsa dëmi i përgjithshëm material, sipas vlerësimeve fillestare, kalon 60 mijë euro.
Në mesin e gjërave të vjedhura ishin para të gatshme, stoli ari, sende me vlerë, si dhe armën zyrtare të një zyrtari policor.
Gjatë kontrolleve në katër lokacione, me urdhër të organeve të drejtësisë, policia ka sekuestruar stoli ari, para të gatshme, një pistoletë, një veturë që dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprave penale, dy telefona dhe një sasi të dyshuar si marihuanë.
Hetimet kanë çuar policinë edhe te një argjendari në lagjen Dardania në Prishtinë, ku dyshohet se janë shitur stolitë e vjedhura.
Pronari i argjendarisë është shoqëruar në stacion policor.
Po ashtu, një sasi tjetër ari është lokalizuar dhe sekuestruar në qytetin e Prizrenit.
Ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për vjedhje të rëndë, posedim të paautorizuar të armëve dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve.