Bashkësia Islame e Kosovës Rikonfirmon Qëndrimin për Projektkodin Civil

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) ka rikonfirmuar qëndrimin e saj lidhur me Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës, duke shprehur mbështetje për miratimin e tij, por me kusht që të rishikohen dhe të hiqen dispozitat që bien ndesh me konceptin tradicional të familjes.

Kjo çështje është diskutuar në mbledhjen e rregullt të Kryesisë së BIK-ut, e cila udhëhiqet nga kryetari i saj, Myftiu Naim ef.

Tërnava.

Në njoftimin e Bashkësisë Islame thuhet se pas një diskutimi të gjerë, është rikonfirmuar qëndrimi i mëparshëm për Projektkodin Civil. “Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës rikonfirmoi qëndrimin e saj të mëparshëm, duke shprehur mbështetje për miratimin e Kodit Civil, por vetëm pasi të rishikohen dhe të hiqen dispozitat që cenojnë konceptin tradicional të familjes, natyrshmërinë njerëzore dhe parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar familja në shoqërinë tonë”, thuhet në njoftim.

BIK-u thekson se nuk është kundër miratimit të Kodit Civil, por kundërshton përfshirjen e dispozitave që bien ndesh me bindjet fetare dhe vlerat tradicionale. “Bashkësia Islame e Kosovës rithekson se nuk është kundër miratimit të Kodit Civil si një nevojë e rëndësishme për sistemin juridik të vendit, por kundërshton përfshirjen e dispozitave që bien ndesh me bindjet e saj fetare, mësimet hyjnore, natyrshmërinë njerëzore dhe vlerat tradicionale të popullit tonë”, thuhet më tej në komunikatë.

Në këtë drejtim, Kryesia e BIK-ut u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse, përfshirë Qeverinë, Ministrinë e Drejtësisë dhe Kuvendin e Kosovës, që gjatë shqyrtimit të projektkodit të marrin parasysh shqetësimet e tyre dhe të rishikojnë dispozitat kontestuese.

Sipas BIK-ut, Kodi Civil duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të reflektojë vlerat e traditat e shoqërisë, pa cenuar parimet fetare dhe morale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *