Dënimi i Personit për Lëndim të Lehtë Trupor ndaj Bashkëshortes në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur fajtor një person me inicialet S.K. dhe e ka dënuar me një vit burgim efektiv për lëndim të lehtë trupor ndaj bashkëshortes së tij.

Sipas njoftimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur më 13 korrik 2026, rreth orës 20:00, në shtëpinë e të pandehurit, në një fshat të Komunës së Ferizajt.

Në aktgjykim thuhet se i pandehuri, pas kthimit nga puna, e kishte ofenduar bashkëshorten me fjalë të rënda dhe më pas e kishte sulmuar fizikisht.

Shkaku i konfliktit ishte një diskutim rreth djalit të tyre dhe mundësisë që ai të punonte te axha i tij. “I pandehuri në atë moment e sulmon fizikisht të dëmtuarën, duke e kapur – shtrënguar në krahun e djathtë të dorës dhe e godet me shuplakë në fytyrë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Si rezultat i këtij sulmi, bashkëshortja kishte pësuar lëndime të lehta trupore, të cilat janë konstatuar nga eksperti mjekoligjor në akt-ekspertizën e datës 31 gusht 2026.

Gjykata, nën kryesimin e gjyqtares Mimoza Maloku Shabani, e ka shpallur fajtor S.K.-në dhe e ka dënuar me një vit burgim efektiv.

Përveç kësaj, me një aktvendim të veçantë, gjykata ka caktuar masa paraburgimi për të, deri në marrjen e formës së prerë të aktgjykimit, por jo më gjatë se kohëzgjatja e dënimit të shqiptuar.

Në arsyetimin e këtij vendimi, gjykata ka theksuar se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, duke marrë parasysh karakteristikat personale të të pandehurit, sjelljen e mëparshme, ambientin dhe kushtet në të cilat jeton.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *