Përgjysmohet Kuota për Punësimin e Shtetasve nga Ballkani në Gjermani

Qeveria gjermane ka vendosur të përgjysmojë kuotën vjetore për punësimin e shtetasve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, nga 50 mijë në 25 mijë miratime, duke filluar nga 1 janari 2027.

Kjo masë pritet të ndikojë ndjeshëm te qytetarët kosovarë dhe të vendeve të tjera të rajonit që dëshirojnë të punësohen në Gjermani përmes Rregullores së Ballkanit Perëndimor, e cila që prej vitit 2016 ua lehtëson qasjen në tregun gjerman të punës.

Sipas kësaj rregulloreje, shtetasit e Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë kanë mundësinë të marrin leje pune në Gjermani pa kaluar nëpër procedurat e zakonshme të gjata për njohjen e kualifikimeve.

Kushti kryesor për ta është që të kenë një ofertë konkrete ose kontratë pune, si dhe miratimin paraprak nga Agjencia Federale e Punësimit.

Deri më tani, kuota vjetore ka qenë 50 mijë miratime, por tani qeveria gjermane ka vendosur që nga fillimi i vitit të ardhshëm ta ulë atë në 25 mijë.

Ky vendim ka hasur në kundërshtime nga disa përfaqësues të industrisë dhe ekspertë ekonomikë, të cilët e konsiderojnë se ky kufizim mund ta përkeqësojë mungesën e fuqisë punëtore në Gjermani.

Një nga kritikët e vendimit është sipërmarrësi gjerman i ndërtimit, Wolfgang Schubert-Raab, i cili gjatë viteve të fundit ka punësuar dhjetë persona përmes kësaj rregulloreje.

Ai e ka cilësuar përgjysmimin e kuotës si një vendim “krejtësisht të gabuar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *