Ndërkohë që autoritetet po përgatisin rritjen e faturave të ujit, banorët e Strugës për të pestën ditë rresht s’kanë qasje në ujë të pastër të pijshëm.
Nga çezmat rrjedh ujë me ngjyrë kafe të errët, i cili është i ndaluar për përdorim.
Pas çdo reshje të dendur shiu, ky problem përsëritet, dhe asnjë kryetar komune deri tani, pavarësisht premtimeve, nuk ka arritur ta zgjidhë atë. “Qytetarët e Strugës ndodhen në një situatë të papranueshme me ujin e pijshëm.
Pas çdo shiu, uji turbullohet sërish.
Të gjithë e dimë të vërtetën – mjetet për këtë sipëmarrje ekzistojnë, por ato përdoren për punësime partiake.
Kërkojmë që ky institucion të mbajë përgjegjësi për shpenzimin e parave të qytetarëve, sepse shëndeti i fëmijëve tanë nuk është në shitje” deklaroi Besnik Asani nga nisma qytetare Struga Vepron.
Nga Ndërmarrja e Ujësjellësit në Strugë, pranojnë se situata e tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, pa dhënë detaje nëse kanë një plan për zgjidhjen afatgjatë të këtij problemi.
Ata thonë se ekipet e tyre kanë dalë në terren dhe kanë filluar me lëshimin e hidrantëve dhe pastrimin e linjave. “Në të gjitha paraqitjet e mia, theksoj se gjatë reshjeve kaq të dendura, mund të ndodhë një turbullim i vogël të ujit.
Për dallim nga më parë, ne reagojmë dhe jemi vazhdimisht në terren, me të gjitha opsionet e mundshme që i kemi, për të sanuar sa më shpejt gjendjen.
Situata të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe do të jenë një barrë për ne si ndërmarrje publike” deklaroi Jovanço Meçkaroski, Drejtor i Ujësjellësit dhe Kanalizimit.
Nga Qendra për Shëndet Publik në Ohër informojnë se ndonëse ka ulje të turbullirës, ndalesa do të mbetet në fuqi edhe për të paktën dy ditë, pasi tri analiza të njëpasnjëshme duhet të tregojnë se uji është brenda kufijve të lejuar.
Turbullimi tani vjen nga burimet në Belicën e Epërme.
Për situatën me ujin, dega e BDI-së kërkon përgjegjësi nga kreu i Komunës, Mendi Qyra.