Dënimi i Hashim Thaçit: Pasojat për Politikën dhe Shoqërinë në Kosovë

Dënimi i dytë i Hashim Thaçit në Hagë ka sjellë kritika të reja ndaj Gjykatës Speciale në Kosovë.

Analistët mendojnë se ky aktgjykim mund të rrisë presionin mbi PDK-në për të adoptuar një qëndrim më të fortë ndaj gjykatës, të thellojë ndasitë shoqërore dhe të dobësojë besimin te partnerët perëndimorë.

Vendimi i 17 nëntorit nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ku ish-presidenti Hashim Thaçi u dënua me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë, ka nxitur reagime të shumta politike dhe publike në Kosovë.

Kjo ndodhi pas pakënaqësive që shkaktoi aktgjykimi i 16 shtatorit, ku katër ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.

Pavarësisht kritikave të forta nga partitë politike dhe organizatat që janë formuar pas luftës, reagimet e institucioneve qendrore ishin më të rezervuara.

Edhe qytetarët shprehën mendimet e tyre në hapësirën publike dhe në rrjetet sociale.

A do të ndikojë ky vendim në qëndrim dhe strategji të partive politike ndaj Gjykatës Speciale?

A do të thellojë mosbesimin shoqëror dhe perceptimin për drejtësinë ndërkombëtare dhe partnerët perëndimorë?

Analisti Agon Maliqi thotë se reagimet ndaj vendimit ishin të pritshme, por mbetet për t’u parë nëse partitë do të forcojnë diskursin kundërshtues ndaj gjykatës.

Sipas tij, ky vendim mund ta shtojë presionin mbi Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për të mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj gjykatës.

Ai gjithashtu mund të ndikojë në zhvillimet e brendshme të PDK-së, përfshirë zgjedhjen e kryetarit të ri dhe konsensusin me Lëvizjen Vetëvendosje për një strategji të përbashkët lidhur me procesin e apelit në Hagë. “Vendimi mund të ketë ndikim në situatën e brendshme politike në PDK, sepse e rrit presionin nga baza e votuesve për një qasje ndoshta pak më të ashpër ndaj Gjykatës Speciale”, thotë Maliqi.

Maliqi vlerëson se reagimet e ashpra ndaj vendimeve gjyqësore e vendosin Kosovën në një pozitë negative në sytë e partnerëve ndërkombëtarë, megjithatë, sipas tij, Bashkimi Evropian nuk ka mekanizëm konkret penalizues në dispozicion.

Rreziku, sipas tij, qëndron në rikthimin e ndryshimeve ligjore përmes Ligjit për Gjykatën Speciale pa koordinim me BE-në. “Pasoja konkrete negative – në kuptimin e uljes së mëtutjeshme të mbështetjes politike për Kosovën – do të ketë nëse rikthimi në agjendë i ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara bëhet pa një dialog dhe koordinim me BE-në”, thotë Maliqi.

PDK-ja njoftoi se ka arritur marrëveshje me LVV-në për të proceduar në Kuvend një projektligj të ri për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, duke e kthyer procesin në pikën zero.

Sociologu dhe analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se reagimi i qytetarëve ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara më 17 nëntor duhet parë në kontekstin e procesit të përgjithshëm në Hagë, veçanërisht pas aktgjykimit të 16 shtatorit. “Reagimi ndaj verdiktit të 17 nëntorit nuk do të jetë thjesht emocional, por do të përfshijë shumë elemente brenda një procesi kompleks sociokulturor, me ndërthurjen e kujtesës kolektive të luftës, perceptimit mbi sakrificën e popullit dhe të UÇK-së, identitetit kombëtar, përvojave të pasluftës dhe pritshmërive të qytetarëve për drejtësi”, thotë ai.

Muhaxhiri gjithashtu paralajmëron se kjo situatë mund ta kthejë kujtesën e luftës në burim ndarjesh shoqërore. “Nëse gjykata i dënon udhëheqësit kryesorë të luftës në formë të tillë, kujtesa kolektive shndërrohet në fushëbetejë: njëra palë thotë se po gjykohen çlirimtarët, kurse tjetra insiston në gjykimin e individëve, jo të krejt popullit.

Kështu investohet në rrezikun e polarizimit social që vjen me thellimin e çarjeve”, thekson ai.

Ai gjithashtu thekson se ushqimi i këtyre ndasive rrezikon të bëhet pjesë e konfrontimeve ndërmjet identiteteve politike dhe shoqërore të grupeve të ndryshme.

Muhaxhiri vlerëson se pakënaqësia ndaj vendimeve të Gjykatës Speciale mund të ndikojë në raportin e qytetarëve me drejtësinë ndërkombëtare dhe partnerët perëndimorë.

Ai thekson se besimi i kosovarëve te Perëndimi është ndërtuar mbi përvojën historike të mbështetjes gjatë viteve ’90 dhe ndërhyrjes së NATO-s më 1999, por ky besim mund të jetë i ndjeshëm ndaj zhvillimeve të tilla. “Rreziku nuk është te kthesa e shpejtë antiperëndimore e kosovarëve, por te erozioni gradual: ndjenja e miqësisë mbetet, mirëpo bëhet më e pasigurt”, thotë ai.

Muhaxhiri nënvizon se partitë politike kanë përgjegjësi të veçantë, sidomos nëse rikthehet në agjendë ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale.

Ai thekson nevojën që çdo iniciativë të mbështetet në argumente profesionale dhe të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që të shmanget perceptimi për ndërhyrje politike në drejtësi.

Në fund, sfida mbetet se si Kosova do t’i menaxhojë pasojat politike dhe shoqërore të procesit në Hagë, pa thelluar përçarjet e brendshme dhe pa dëmtuar raportet me aleatët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *