Procedura disiplinore ndaj gjashtë zyrtarëve policorë për përdorim të tepruar të forcës

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se do të fillojnë procedura për shkelje të rendit dhe disiplinës në punë, si dhe pezullim nga detyra për gjashtë zyrtarët policorë që janë të përfshirë në rastin e përdorimit të tepruar të forcës. “Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme po ndërmerr masa lidhur me incidentin e ndodhur më 7 tetor 2026, që përfshin përdorimin e tepruar të forcës fizike dhe shkaktimin e lëndimeve trupore ndaj individëve nga ana e zyrtarëve policorë gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre policore”, thonë nga MPB.

Sipas njoftimit, duke u bazuar në kontrollet e kryera, pamjet e incidentit dhe deklaratat e dëshmitarëve, janë konstatuar një sërë parregullsish në sjelljen e zyrtarëve.

Si rezultat, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale do të iniciojë procedura ndaj gjashtë zyrtarëve policorë për shkelje të rendit dhe disiplinës në punë dhe do të vendosë masa për pezullimin e tyre nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *