Një tjetër botë e fshehtë nëntokësore po zbulohet, e vendosur në një ish-bazë ushtarake jugosllave-serbe, tunelet e së cilës po xhirohen për herë të parë.
Bëhet fjalë për bazën e vendosur mbi fshatin Kutllovc, në Komunën e Mitrovicës, e cila, përveç gjurmëve të ushtrisë jugosllave-serbe, ruan një histori të veçantë nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo bazë lidhet me një operacion të guximshëm të ushtarëve të UÇK-së nga Zona Operative e Shalës, konkretisht të Brigadës 141 „Mehë Uka“.
Në prill të vitit 1999, pas bombardimeve të NATO-s ndaj bazës, ushtarët e UÇK-së ndërmorën një mision tepër të rrezikshëm.
Ata arritën të depërtonin fshehtas në objektin e goditur dhe të nxirrnin pothuajse të gjithë municionin dhe armatimin që ndodhej brenda tij.
Sipas të dhënave të prezantuara për këtë operacion, nga baza u nxorën: 21 arka me fishekë të kalibrit 7.62 mm, 900 fishekë të kalibrit 12.7 mm për Gulinov, 6 granata për minahedhës 82 mm, 120 fishekë për armën M48, dhe 1 pushkomitraloz.
Ky operacion është realizuar në kushte të rrezikshme, në një objekt ushtarak të goditur nga bombardimet, duke dëshmuar për një episod pak të njohur të veprimtarisë së luftëtarëve të Brigadës 141 „Mehë Uka“.