Ministria e Punëve të Brendshme bën thirrje për kujdes të madh prindërve, kujdestarëve, mësimdhënësve dhe opinionit të gjerë lidhur me dukurinë e njohur si “764” – një komunitet të dhunshëm online, anëtarët e të cilit shënjestrojnë fëmijët, të miturit dhe persona të tjerë të rrezikuar, me qëllim manipulimin, frikësimin dhe detyrimin e tyre për të kryer veprime të rrezikshme dhe të dhunshme.
Nga MPB Maqedoni theksojnë se serioziteti i kësaj dukurie është i njohur edhe nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë, përfshirë Byrojnë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI), e cila e lidh grupin “764” me komunitete më të gjera të ekstremizmit të dhunshëm nihilist dhe grupe të ngjashme. “Ky apel ka karakter parandalues – synon informimin me kohë të opinionit publik për mënyrat e veprimit të këtyre grupeve, rreziqet me të cilat përballen fëmijët dhe mundësitë për mbrojtjen e tyre.
Si funksionon grupi ‘764’?” “Grupi ‘764’ vepron përmes rrjeteve të ndryshme sociale, aplikacioneve të komunikimit dhe platformave të lojërave online.
Për të vendosur kontakt me viktimat e mundshme, anëtarët e tij përdorin platforma si Discord, Telegram, Roblox, Instagram, TikTok, Snapchat, Reddit, X (ish-Twitter), Minecraft dhe Fortnite.”