Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski dhe rektori i Universitetit Trakya nga Edrene, Mustafa Hatipler, kanë nënshkruar sot në Shkup një Protokoll për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë, i cili do të ketë një kohëzgjatje prej pesë vitesh.
Protokolli është nënshkruar në kuadër të projektit “Urat e Vëllazërisë” – një iniciativë për bashkëpunim ballkanik në shëndetësi dhe trajnim të profesionistëve, e cila po realizohet me mbështetje nga Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Turqisë.
Maqedonia është vendi i tretë që përfshihet në këtë projekt pas Kosovës dhe Bullgarisë. “Bashkëpunimi parashikon specializime dhe trajnime praktike për punonjësit shëndetësorë të Maqedonisë në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Spitalin Universitar në Edrene; shkëmbim njohurish dhe përvojash klinike ndërmjet ekipeve profesionale; hulumtime të përbashkëta shkencore dhe organizim të aktiviteteve profesionale; bashkëpunim institucional që, përveç mjekësisë, përfshin edhe stomatologjinë, farmacinë dhe shkencat shëndetësore”, theksoi Klekovski. “Protokolli është vazhdim i Memorandumit të Mirëkuptimit në fushën e shëndetësisë, të cilin ministri Klekovski e nënshkroi me ministrin e Shëndetësisë të Republikës së Turqisë, prof. dr.
Kemal Memişoğlu, në tetor të këtij viti në Stamboll, ku shkëmbimi profesional dhe edukimi specialistik u përcaktuan si fusha prioritare”. “Në delegacionin e Universitetit Trakya ishin gjithashtu prorektori dhe dekani i Fakultetit të Mjekësisë, prof. dr.
Sedat Üstündağ, dekani i Fakultetit të Stomatologjisë, prof. dr.
Ali Yılmaz, si dhe drejtori i Spitalit Universitar, prof. dr.
Alkin Çolak”, deklaruan nga Ministria e Shëndetësisë. “Marrëveshjet vlejnë aq sa përfiton prej tyre një pacient.
Me këtë protokoll, punonjësit tanë shëndetësorë fitojnë një vend ku do të mund të përsosin më tej njohuritë dhe aftësitë e tyre profesionale, ndërsa njohuritë që do të sjellin do të mbeten këtu”, përfundoi ministri Klekovski.