Analiza e Programit Politik të Listës Studentore në Serbi

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka publikuar një analizë për programin politik të Listës Studentore në Serbi, duke e vlerësuar atë si një vazhdimësi të orientimeve të mëparshme gjeopolitike të vendit, pavarësisht pretendimeve për transformim demokratik.

Në analizën e tij, Fetoshi argumenton se programi i Listës Studentore përmban qëndrime të ngjashme me ato të qeverive të kaluar serbe nën presidencën e Aleksandar Vuçiqit, veçanërisht në lidhje me Kosovën, Rusinë, Kinën, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Fetoshit, Lista Studentore vazhdon të mbështesë neutralitetin ushtarak të Serbisë, kundërshtimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe partneritetin strategjik me Kinën.

Një prej pikave kryesore të analizës është qëndrimi ndaj Kosovës.

Fetoshi thekson se programi i kësaj liste parasheh vazhdimin e kundërshtimit të pavarësisë së Kosovës dhe të anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare, duke e trajtuar Kosovën si pjesë të Serbisë.

Ai vlerëson se ky qëndrim paraqet vazhdimësi të politikave të qeverive të mëparshme dhe, sipas tij, shkon edhe më tej në raport me marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit.

Sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, Fetoshi vëren se Lista Studentore synon ruajtjen e partneritetit me Rusinë dhe Kinën, ndërsa Bashkimin Evropian e trajton kryesisht si partner ekonomik dhe burim të investimeve e mbështetjes financiare.

Në raport me SHBA-në, sipas analizës, programi parasheh vazhdimin e dialogut strategjik dhe bashkëpunimin në fusha si energjetika, transporti, inteligjenca artificiale dhe mbrojtja.

Në përfundim, Fetoshi argumenton se ndryshimi i mundshëm i pushtetit në Serbi nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht ndryshim të politikës së saj ndaj Kosovës dhe rajonit.

Ai e cilëson Listën Studentore si një alternativë që, pavarësisht retorikës për ndryshim, ruan orientimet kryesore të politikës së deritashme të Serbisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *