Ushtrimi i Përbashkët ‘Shpata e Artë’ i KFOR-it dhe FSK-së në Kosovë

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, së bashku me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Policinë e Kosovës, ka realizuar ushtrimin e përbashkët operacional “Shpata e artë” në hapësirat stërvitore të kampit Vrelo.

Në këtë ushtrim kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me mandatin e saj fillestar për mbrojtje civile.

Ushtrimi është organizuar në kuadër të prioritetit “Ushtrohu dhe Parandalo” (Rehearse and Prevent), ku pjesëmarrësit janë angazhuar në disa skenarë me intensitet të lartë që simuluan situata komplekse emergjente.

Gjatë ushtrimit janë praktikuar procedurat e përbashkëta të komandimit, kontrollit dhe komunikimit, si dhe manovrat për kontrollin e turmave dhe trazirave, me fokus në teknikat e shtensionimit të situatave dhe menaxhimin e rendit publik.

Një pjesë e ushtrimit përfshiu edhe simulimin e evakuimit të shpejtë mjekësor të personave të lënduar, me mbështetje nga helikopterët e KFOR-it.

Specialistët e KFOR-it dhe FSK-së për asgjësimin e mjeteve shpërthyese dhe menaxhimin e materialeve të rrezikshme kanë bashkëpunuar në identifikimin dhe sigurimin e mjeteve shpërthyese të simuluara, si dhe në trajtimin e rreziqeve kimike dhe mjedisore.

KFOR-i ka theksuar se ushtrimet e tilla janë të rëndësishme për ruajtjen e gatishmërisë operacionale dhe për të siguruar që njësitë pjesëmarrëse të mund të reagojnë shpejt dhe në mënyrë efektive ndaj krizave të mundshme.

Përmes harmonizimit të taktikave dhe procedurave standarde të veprimit, institucionet forcojnë kapacitetet e përbashkëta për të parandaluar përshkallëzimin e situatave, për të mbrojtur infrastrukturën kritike dhe për të garantuar sigurinë e komuniteteve në Kosovë.

Njoftimi thekson se përfundimi i suksesshëm i ushtrimit “Shpata e artë” dëshmon përkushtimin e KFOR-it për të bashkëpunuar me institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, ka theksuar se misioni i këtij mekanizmi është i përqendruar te njerëzit dhe siguria e tyre. “Ky është thelbi i misionit tonë.

Bëhet fjalë për njerëzit, sigurinë e tyre dhe tonën.

Për këtë jemi këtu, për ta ofruar këtë me profesionalizëm, paanshmëri dhe përkushtim,” ka deklaruar Vergori.

Ai ka theksuar rëndësinë e ushtrimit dhe ndërlidhjen e tij me mandatin afatgjatë të KFOR-it në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *