Sot, më 20 nëntor, kujtojmë 33-vjetorin e një prej tragjedive më të rënda ajrore në historinë e Maqedonisë së Veriut.
Më 20 nëntor të vitit 1993, një aeroplan i kompanisë ajrore “Avioimpex” u rrëzua pranë aeroportit të Ohrit, duke shkaktuar vdekjen e 116 personave, përfshirë shumë shqiptarë nga Kosova.
Aeroplani i tipit Yakovlev Yak-42D po realizonte fluturimin nga Gjeneva e Zvicrës drejt Shkupit.
Për shkak të kushteve atmosferike të pafavorshme në kryeqytet, fluturimi u devijua drejt aeroportit të Ohrit, ku ndodhi tragjedia gjatë uljes.
Në bordin e aeroplanit ndodheshin 108 udhëtarë dhe tetë anëtarë të ekuipazhit.
Nga aksidenti humbën jetën 115 persona, ndërsa udhëtari i vetëm që fillimisht kishte mbijetuar ndërroi jetë disa ditë më vonë si pasojë e plagëve, duke e çuar numrin përfundimtar të viktimave në 116.
Një numër i konsiderueshëm i udhëtarëve ishin shqiptarë nga Kosova, të cilët jetonin dhe punonin në Zvicër dhe po udhëtonin drejt vendlindjes për t’u bashkuar me familjarët e tyre.
Kjo tragjedi la pas një dhimbje të thellë te familjet e viktimave dhe mbetet një nga ngjarjet më të rënda në historinë e aviacionit në vend.
Edhe pas 33 vjetësh, 20 Nëntori vazhdon të jetë një datë e dhimbshme për familjarët dhe të afërmit e 116 personave që humbën jetën në këtë aksident tragjik.