Në Ministrinë e Mbrojtjes ka filluar gara “European Defense Tech”, ku janë të përfshirë mbi 200 individë nga fusha e sigurisë, inxhinierisë, inteligjencës artificiale, mekatronikës, akademisë ushtarake dhe mbrojtjes.
Kjo garë prestigjioze ndërkombëtare, e organizuar për herë të parë në Ballkan, po zhvillohet në Republikën e Kosovës nga ICK, nën patronatin e ministrit të mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Në Prishtinë kanë ardhur garues, mentorë dhe ekspertë nga Shqipëria, Gjermania, Bullgaria dhe Ukraina.
Përgjatë tre ditëve, do të punohet në zhvillimin e produkteve nga tri kategori të sfidave: – OSINT dhe kërcënimet hibride: përdorimi i inteligjencës artificiale për analizimin e burimeve të hapura dhe identifikimin e kërcënimeve hibride dhe dezinformimit. – Mbrojtja kibernetike e infrastrukturës kritike: përdorimi i inteligjencës artificiale për zbulimin dhe analizimin e kërcënimeve kibernetike. – Zbulimi automatik i dronëve dhe monitorimi i situatës ajrore: zhvillimi i zgjidhjeve për identifikimin, klasifikimin dhe gjurmimin e dronëve.