Në kuadër të zhvillimit dhe avancimit të kapaciteteve operacionale të Mbështetjes Luftarake të Komandës së Forcave Tokësore (KFT), bateritë e Regjimentit të Mbështetjes Luftarake (RML) kanë realizuar një aktivitet të rëndësishëm qitjeje me municion luftarak, duke përdorur mortajën 120 mm të sistemit Vuran, në poligonin e qitjes në Bizë, Republikën e Shqipërisë.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga FSK në Facebook. “Me këtë rast, aktivitetin e kanë vizituar Komandanti i KFT-së, Gjeneral Brigade Mehmet Lladrovci, i shoqëruar nga stafi i tij dhe Atasheu Ushtarak i FSK-së në Shqipëri, si dhe përfaqësues të Forcave Tokësore të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH).
Vizita kishte për qëllim për të parë nga afër realizimin e qitjes dhe vlerësimin e zbatimit të procedurave të planifikimit dhe ekzekutimit të mbështetjes luftarake me zjarr indirekt,” thuhet në postim.
FSK thekson se gjatë këtij aktiviteti u dëshmua profesionalizmi i pjesëtarëve të RML-së në zbatimin e procedurave të sigurisë dhe përdorimin e mortajës 120 mm të sistemit Vuran.