Një 56-vjeçar nga fshati Grad i Dellçevës është ndaluar nga policia nën dyshimin për gjueti të paligjshme.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur më 20 nëntor 2026, rreth orës 20:00, kur oficerët e Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare – Lindje e kanë arrestuar A.A. (56) në një arë në territorin e fshatit Grad.
Pas informacioneve të marra paraprakisht dhe kontrolleve të kryera në terren, policia e ka kapur 56-vjeçarin duke ushtruar gjueti të paligjshme me një armë gjahu të modifikuar për gjueti gjatë natës.
Gjatë kontrollit personal, atij iu gjetën dhe iu konfiskuan fishekë të kalibrit 12 mm, si edhe një gëzhojë e një fisheku të shkrepur të të njëjtit kalibër.
Sipas policisë, për municionin ai kishte leje.
Rasti është raportuar te prokurori publik, dhe pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, do të paraqitet kallëzim përkatës ndaj tij.