Klodiana Shala: Ngritjet dhe Sfidat e Jetës në Shqipëri

Klodiana Shala, ish-atletja e njohur dhe sot sipërmarrëse, del nga Shqipëria të paktën një herë në muaj për të blerë ushqime.

Ajo tregon se blen kryesisht në Kosovë, ku gjen çmime më të ulëta dhe produkte më cilësore. “Unë një herë në muaj, ndonjëherë më shpesh dal jashtë kufijve… në Greqi, Itali, Maqedoni të Veriut, por kryesisht në Kosovë. Çmimet e ushqimeve janë thuajse përgjysmë, ka një ndryshim të madh qoftë në çmim dhe cilësi,” shprehet Shala.

Ajo thekson se në Shqipëri ndjen më shumë mungesën e shërbimeve për të cilat paguan, sidomos në sektorin e shëndetësisë. “Unë paguaj një shumë të konsiderueshme për sigurimet shëndetësore dhe marr shërbime minimale.

Në spitale mund të bësh një analizë të thjeshtë gjaku, kurse për të tjerat të drejtojnë te privati, ku shërbimi është shumë i shtrenjtë,” thotë Shala.

Kostoja e jetesës dhe qasja në shërbime publike janë shqetësime të përditshme për të, teksa Shqipëria shënon përparim drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Vendi ka hapur 33 kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht katër prej tyre.

Qeveria synon t’i përmbyllë negociatat deri në fund të vitit 2027.

Kostoja e jetesës dhe cilësia e shërbimeve publike janë ndër çështjet kryesore në protestat që kanë vazhduar për afro gjashtë muaj para Kryeministrisë në Tiranë, ku kërkohet largimi i qeverisë së Edi Ramës.

Protestat filluan në maj kundër një projekti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, ndërsa në tetor, ato u udhëhoqën nga studentët, që shprehën pakënaqësitë e grumbulluara mbi kushtet e jetesës.

Irini Myftaraj, studente e gazetarisë dhe pjesëmarrëse në protesta, thekson se mungesa e shërbimeve publike bazë është një nga pakënaqësitë kryesore. “Ne dhe familjet tona çdo ditë përballemi me situatën në spitale.

Aty nuk ka vigona, nuk ka doreza, na kërkohet të blejmë vetë ilaçet.

Por ndërkohë flasim për investime strategjike,” thotë Myftaraj.

Ajo kërkon që qeveria të sigurojë kushte bazë për jetesë, para se të flasë për investime të tjera.

Shala dhe Myftaraj, pavarësisht se u përkasin brezave të ndryshëm, e mirëpresin përparimin e Shqipërisë drejt BE-së, por presin që ky proces të sjellë përmirësime të prekshme në jetën e tyre.

Sipas raportit të Komisionit Evropian, kostoja e jetesës në Shqipëri është e lartë, me një pagë mesatare mujore bruto prej rreth 1.000 eurosh.

Papunësia te të rinjtë është alarmante, duke arritur 21,5% në vitin 2025, dhe rreziku nga varfëria është gjithashtu i lartë.

Shala, e cila ka investuar dy dekada në atletikë, shpreh zhgënjimin e saj që kjo periudhë nuk i njihet si vite pune. “Angazhimi im në atletikë nisi në 1993 dhe ka vijuar për dy dekada.

Unë nuk figuroj e siguruar, nuk më njihen si vite pune,” thotë ajo.

Ajo shprehet se ka vendosur të qëndrojë në Shqipëri për shkak të dashurisë për vendin e saj, megjithëse shumë miq të saj kanë zgjedhur të emigrojnë për kushte më të mira jetese.

Myftaraj dëshiron që brezi i saj të ketë mundësi të qëndrojë në Shqipëri dhe të ndjehet pjesë e Bashkimit Evropian, pa pasur nevojë të ikin si emigrantë. “E duam Bashkimin Evropian, por duam të jetojmë këtu në vendin tonë dhe jo të ikim si emigrant diku tjetër.

Duam të ndjehemi pjesë e Bashkimit Evropian duke jetuar në vendin tonë,” përfundon ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *