Aksion Shpëtimi nga Forcat Speciale për një Alpinist të Plagosur në Demir Kapinë

Pjesëtarët e Batalionit të Forcave Speciale të Armatës realizuan me sukses një aksion shpëtimi për nxjerrjen e një alpinisti të plagosur rëndë nga një terren i thepisur dhe i paarritshëm në rajonin e Demir Kapisë.

Aksidenti ndodhi gjatë ngjitjes në shkëmbinj, kur alpinisti ra në një terren jashtëzakonisht të pjerrët dhe pësoi lëndime të rënda trupore, sipas njoftimeve nga Shtabi i Përgjithshëm i Armatës.

Në atë moment, pjesëtarët e forcave speciale po zhvillonin një trajnim të rregullt të avancuar për operacione malore, kur u alarmuan për aksidentin që kishte ndodhur në afërsi të tyre. “Menjëherë pas marrjes së informacionit, pjesëtarët e forcave speciale filluan organizimin dhe realizimin e aksionit të shpëtimit.

Personit të lënduar iu dha ndihma e parë mjekësore në vendin e aksidentit, pas së cilës, me përdorimin e pajisjeve të specializuara alpinistike dhe të shpëtimit, u realizua nxjerrja e sigurt nga terreni i paarritshëm dhe transportimi përmes lumit,” njoftojnë nga Shtabi i Përgjithshëm.

Pas nxjerrjes në një pikë të qasshme, alpinisti i lënduar iu dorëzua ekipeve të Ndihmës së Shpejtë për trajtim dhe kujdes të mëtejshëm mjekësor.

Nga Shtabi i Përgjithshëm vlerësojnë se ky intervenim dëshmon nivelin e lartë të trajnimit, profesionalizmin dhe gatishmërinë e pjesëtarëve të Batalionit të Forcave Speciale për të vepruar në kushte komplekse dhe me rrezik të lartë, si dhe gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar në situata ku rrezikohet jeta e njerëzve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *