Elisa Spiropali: Nuk do të pendohem për asgjë, vetëm drejtësi

Deputetja e PS-së, Elisa Spiropali, ka reaguar me një postim të gjatë në rrjetet sociale pas ngjarjeve të fundit politike brenda Partisë Socialiste, duke shprehur se nuk ndjen pendesë dhe se nuk pret mëshirë nga askush.

Me titullin “Sikur çoç më ndodhi”, Spiropali iu është përgjigjur atyre që, sipas saj, janë habitur nga situata e saj, duke theksuar se kjo situatë nuk e prek aspak. “U duket sikur ma prenë kokën.

Dhe mund të jetë e vërtetë.

Por s’më bën asnjë përshtypje.

Jam si ato qëniet mitologjike që po më preve 1 kokë, më dalin 7 të tjera”, ka shkruar ajo.

Spiropali ka theksuar se asnjëherë nuk do të pendohet apo të gjunjëzohet, duke sqaruar se për të ekziston vetëm drejtësia, jo mëshira.

Në postimin e saj, ajo ka bërë krahasime me figura historike dhe mitologjike, duke e lidhur qëndresën e saj me Perandoreshën e Kinës dhe Kleopatrën.

Ish-ministrja theksoi se nuk merret me gazetat, portalet dhe televizionet që, sipas saj, kërcënojnë, shpifin apo thurin intriga, por se e kalon kohën duke lexuar libra.

Ajo gjithashtu ka folur për lidhjen e saj me jetën jashtë politikës, duke përmendur ushqimet tradicionale shqiptare, si byrekun me spinaq dhe hithrat në fshatrat e Kelmendit, Zadrimës, Kolonjës dhe Labërisë.

Në pjesën tjetër të reagimit, Spiropali përdori një gjuhë të fortë për të përshkruar karakterin dhe qëndrimet e saj, duke theksuar se është këmbëngulëse për atë që e konsideron të drejtë dhe se nuk frikësohet nga humbja e pozitës apo pushtetit.

Ajo kritikoi gjithashtu ata që i quan “hajdutë dhe manipulues”, të cilët, sipas saj, paraqiten si liberalë dhe kozmopolitë, por në të vërtetë janë tiranë.

Në përfundim, Spiropali shprehu se ndien përgjegjësi dhe dashuri për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, duke theksuar se ka dhjetë milionë zemra që ua fal shqiptarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *