Studentë të mjekësisë, mjekë të diplomuar dhe specialistë të papunë kanë vazhduar protestën e tyre në Prishtinë, këtë herë duke ofruar konsulta mjekësore falas për qytetarët në sheshin “Skënderbeu”.
Me këtë aksion simbolik, ata kanë për qëllim të tërheqin vëmendjen e institucioneve për papunësinë në sektorin shëndetësor dhe mungesën e perspektivës për profesionistët e rinj.
Iniciativa, e cila filloi më 23 tetor, synon të sigurojë punësimin pas diplomimit, rritjen e mundësive për specializim, kompensimin e stazhit të detyrueshëm gjashtëmujor dhe përmirësimin e pozitës së profesionistëve shëndetësorë.
Besfort Racaj, përfaqësues i protestuesve, theksoi se, megjithëse kanë tentuar të hapin dialog me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera, deri tani nuk kanë marrë përgjigje konkrete.
Ai përmendi se vetëm gjatë pesë viteve të fundit, mbi 650 mjekë kanë braktisur Kosovën.
Përmes këtyre konsulencave falas, protestuesit dëshirojnë të tregojnë gatishmërinë e tyre për t’u shërbyer qytetarëve, edhe pse nuk kanë mundësinë për të punuar në institucionet publike shëndetësore.
Mes tyre ka edhe specialistë që, pavarësisht përfundimit të specializimit, vazhdojnë të jenë pa punë në sektorin publik.
Një nga ta është specialisti i oftalmologjisë, Besfort Dabiqaj, i cili shprehet se ai dhe shumë kolegë të tij janë tashmë dy vjet pa punë.
Ai paralajmëron se mungesa e një plani për sistemimin e profesionistëve shëndetësorë mund të krijojë probleme edhe më të mëdha në të ardhmen.
Për këtë arsye, protestuesit kërkojnë hartimin e një plani nacional për shpërndarjen e mjekëve në institucionet publike dhe ofrojnë bashkëpunim vullnetar për këtë proces.
Përveç konsultave falas, ata kanë nisur edhe një peticion për të mbledhur mbështetje nga qytetarët për kërkesat e tyre.
Protestuesit theksojnë se aksionet do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave, duke sqaruar se qëllimi i tyre nuk është përballja me institucionet, por krijimi i kushteve për ushtrimin e profesionit në vendin e tyre.