Pas tri ditëve aktivitetesh, sot u përmbyll me sukses gara ndërkombëtare “European Defense Tech Hackathon”.
Kjo garë u mbajt për herë të parë në Kosovë, nën përkujdesjen e Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkorganizim me Innovation Centre Kosovo (ICK) dhe European Defense Tech Hub (EDTH).
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në ceremoninë përmbyllëse falënderoi ekipet pjesëmarrëse dhe organizatorët për punën dhe angazhimin e tyre gjatë këtyre tri ditëve të garave. “Për mua secili ekip që mori pjesë ishte fitues.
Ishte kënaqësi të shihja nga afër idetë dhe zgjidhjet që u prezantuan, si dhe potencialin që kanë të rinjtë për të kontribuar në zhvillimin e teknologjisë në fushën e mbrojtjes”, shkruan Maqedonci në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin Facebook.
Në fund të garës u ndan edhe çmimet për tri ekipet fituese.
Gara ndërkombëtare “European Defense Tech Hackathon” ka për qëllim të kapërcejë boshllëqet midis teknologëve, sektorit publik, investitorëve dhe operatorëve në teknologjinë e përdorimit të dyfishtë dhe atë të mbrojtjes.