“Bashkë me qeverinë e Kosovës të krijojmë bibliotekën digjitale.” 118-vjetori i Kongresit të Manastirit, që ka evoluar në festën kombëtare të Alfabetit, ka bashkuar shqiptarët nga të dy anët e kufirit.
Në Shtëpinë-Muze të Alfabetit Shqiptar, u organizua një aktivitet përkujtimor, ku morën pjesë kryeministri Rama dhe kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Rama theksoi rëndësinë historike të 22 nëntorit 1908, kur burrat shqiptarë u mblodhën për të vendosur se si do të shkruhej Gjuha Shqipe, duke përmendur veçanërisht gruan Parashqivi Qiriazi, e cila ishte pjesë e Kongresit. “Këtu erdhën në ato ditë njerëz malesh, luginash e brigjesh deti, që flisnin shqipen me regjistra të ndryshëm dhe, kur vinte puna te alfabeti, kishin preferenca të ndryshme për shkronjat.
Në fund, Kongresi pranoi dhe hapi rrugën për një bashkim që u realizua shumë dekada më vonë, kur gjuha shqipe u njehsua.
Mes burrave të këtij Kongresi ishte dhe një grua e re nga ky qytet: Parashqevi Qiriazi, e cila një vit më vonë botoi abetaren e saj këtu në Manastir.
Parashqevi Qiriazi u bë frymëzim për ne kur miratuam abetaren e përbashkët me qeverinë e Kosovës”, shprehu Kryeministri.
Rama gjithashtu theksoi sfidat me të cilat përballen institucionet arsimore dhe qeveria në mbrojtjen e gjuhës shqipe, duke propozuar ndërtimin e një biblioteke digjitale në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës. “Shqipja është nën një agresion të madh, si të gjitha gjuhët e vendeve të vogla, në këtë epokë digjitale.
Duhet të shohim përpara me një projekt afatgjatë për shqipen.
Do të ishte e pajustifikueshme përballë historisë që Tirana dhe Prishtina të mos bashkëpunonin për ndërtimin e një biblioteke digjitale të hapur për çdo fëmijë dhe çdo mësues shqiptar në mbarë botën”, tha Rama.
Gjatë vizitës në Manastir, Kryeministri u ndal edhe në Konsullatën e Nderit të Republikës së Shqipërisë, e cila shënonte 100-vjetorin e hapjes së saj, dhe pati mundësinë të takohet me krerët e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, përfshirë mikun e tij, Ali Ahmetin.