Tragjedia në Itali: Një Nënë Shqiptare Humb Jetën në Aksident Rrugor

Një grua 31-vjeçare me origjinë shqiptare ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti tragjik automobilistik në veri të Italisë, ndërsa tre fëmijë që ndodheshin në të njëjtën makinë kanë mbetur të plagosur.

Viktima është identifikuar si Emanuela Shahini, banore e zonës së Prata di Pordenone.

Ajo u nda nga jeta pas pasojave të përplasjes që ndodhi mëngjesin e kësaj të diele.

Aksidenti u regjistrua rreth orës 11:00 në zonën e Prata di Pordenone, kur Emanuela po shoqëronte fëmijët drejt Villanova-s për të marrë pjesë në festimin e dhjetëvjetorit të ditëlindjes së nipit të saj.

Sipas rindërtimit paraprak të karabinierëve, automjeti tip Ford Fiesta humbi kontrollin në një kthesë për shkak të rrugës së rrëshqitshme nga reshjet e shiut, doli nga karrexhata dhe u përplas me një shtyllë betoni që e shkatërroi dhe depërtoi në pjesën e përparme të makinës, duke e bërë atë të përfundonte e përmbysur mbi strukturën e betonit për shkak të forcës së madhe të goditjes.

Emanuela mbeti e bllokuar mes mbetjeve të automjetit të shkatërruar dhe u desh ndërhyrja e zjarrfikësve për t’u nxjerrë.

Pas ndihmës së parë të ofruar në vendngjarje, ajo u dërgua me urgjencë në spitalin Santa Maria degli Angeli në Pordenone, ku ndërroi jetë pak pas mbërritjes, rreth orës 12:30.

Në makinë udhëtonin edhe tre të mitur: djali gjashtëvjeçar i saj, vajza katërvjeçare dhe një shoqe e tyre dhjetëvjeçare, të cilët, sipas raportimeve, arritën të dilnin vetë nga automjeti pas përplasjes.

Vajza katërvjeçare u transportua me helikopter në spitalin e Udines, ndërsa dy fëmijët e tjerë u dërguan në spitalin e Pordenones për kontrolle dhe trajtim mjekësor për dëmtime dhe mavijosje.

Gjendja e tyre vijon të ndiqet nga mjekët.

Në vendngjarje arritën ambulanca, helikopteri mjekësor, zjarrfikësit dhe karabinierët e kompanisë Sacile, të cilët po hetojnë dinamikën e ngjarjes dhe po verifikojnë përdorimin e rripave të sigurimit.

Kryetarja e bashkisë së Prata di Pordenone, Katia Cescon, shprehu ngushëllimet e saj duke deklaruar se në emër të saj dhe të gjithë administratës bashkiake shprehte ngushëllimet më të thella për familjen e Emanuelës për këtë tragjedi të madhe, duke shtuar një lutje të veçantë për vajzën e vogël që ishte e shtruar në spital dhe një mendim plot dashuri e afërsi për të gjithë të dashurit e saj në këtë moment dhimbjeje të papërshkrueshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *