Xhemajl Azemi, babai i Endrit Azemit, i arrestuar për mbledhjen e 189 mijë e 206 eurove e 80 centëve duke mashtruar se është i sëmurë, ka shprehur se familja e tij nuk ka qenë e vetëdijshme për veprimet e tij.
Në një deklaratë për Tëvë1, ai u kërkoi falje të gjithë atyre që kanë kontribuar me para dhe janë prekur nga mashtrimi.
Azemi theksoi se djali i tij nuk ka mundur t’i realizojë këto veprime i vetëm dhe përmendi një person tjetër që ka qenë në shoqëri me të. “Besoni se në dy-tri javët e fundit ai nuk është dalë nga shtëpia, ata e kanë planifikuar këtë.
Unë e njoh vetëm djalin tim, dhe nuk e di se kush janë ata që e kanë ndihmuar.
Djali im nuk ka mundur të realizojë një plan të tillë kurrë në jetën e tij.
Si ka mundur të shkojë në Prishtinë për të marrë dokumente false, ose në Turqi për të bërë të njëjtën gjë, nuk e di.
Në Zot të betohemi se ne nuk e kemi ditë, dhe i kërkoj falje të gjithëve që kanë kontribuar, deri edhe me 5 cent.
Të gjitha paratë janë te “GoFundMe”, dhe gjithçka që është mbledhur është në bankë.
Policia e di se ato para do të kthehen, ne nuk kemi marrë as 5 cent.
Do të ishte më mirë të kishim vdekur, besoni Zotin, sepse kjo që ka ndodhur… nuk e di çka ka ndodhur dhe kush qëndron pas kësaj,” tha ai.
Azemi gjithashtu tregoi se djalin e kishte parë në një gjendje të lodhur dhe kur e kishte pyetur për shëndetin e tij, ai kishte thënë se “s’jam tu mujt”.
Ai tregoi se djali i tij nuk ishte parë për një kohë në shtëpi dhe kishte shkuar në Turqi. “Më 31, vajza më tha se Endriti u nis për në Turqi duke thënë se është i sëmurë.
Unë e kam parë shumë të dobët më 27, 28.
I thashë çka ke, dhe ai më tha se nuk po mundem.
Më 31 kam qenë në lagje, kur erdha vajza më tha se u nis për Turqi.
Kush e ka ndihmuar, kush e ka bërë këtë, ai është nisur për Turqi, dhe sa ka qëndruar atje, nuk e di,” theksoi ai.
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Endrit Azemit, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale të mashtrimit.
Azemi dyshohet se ka mashtruar se vuan nga leukemia akute, përmes platformës “GoFundMe” dhe thirrjeve për ndihmë të organizuara brenda qytetit, ka arritur të përfitojë 189.208.8 euro.
Sipas dosjes së prokurorisë, për rreth dy javë, me dashje dhe me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror, ai ka vënë në lajthitje qytetarët duke pretenduar se është i sëmurë me leukemi akute.