Raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë për vitin 2026 u shqyrtua në seancën e përbashkët të Komisionit për Çështje Evropiane dhe Këshillit Nacional për Eurointegrime.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Michalis Rokas, prezantoi gjetjet e raportit.
Ai vlerësoi përparimin në fusha të caktuara si digjitalizimi, harmonizimi i legjislacionit dhe reformat, por theksoi se hapja e negociatave të anëtarësimit varet nga përmbushja e disa kushteve. “Siç e dini, faza e ardhshme e negociatave të anëtarësimit varet nga hapat për të cilët jemi marrë vesh në të kaluarën.
Së pari, ndryshimet kushtetuese, së dyti, marrëveshja për administratën publike dhe reforma e saj, si dhe reforma dhe udhëzimet në gjyqësor, si dhe planet e veprimit që vijnë së bashku me to.
Të gjitha së bashku do të mundësojnë hapjen e kapitullit 1”, tha Michalis Rokas.
Në seancë ishte e pranishme edhe presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, e cila përshëndeti nismat në BE dhe shprehu qëndrimin se çështjet dypalëshe që nuk lidhen me kriteret e anëtarësimit nuk duhet të përfshihen në negociata. “Qëllimi ynë mbetet i njëjtë, anëtarësimi i plotë në BE.
Ne nuk kërkojmë privilegje, nuk kërkojmë trajtim të veçantë, nuk kërkojmë standarde më të ulëta.
Kërkojmë zbatim të qëndrueshëm të rregullave, parimeve dhe vlerave evropiane, barazi, siguri juridike dhe anëtarësim të bazuar në merita”, tha Gordana Siljanovska Davkova.
Zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, theksoi se çështjet e hapura duhet të zgjidhen përmes dialogut. “Raporti thekson qartë gjithashtu se nuk ka përparim në lidhje me ndryshimet kushtetuese të përcaktuara në konkluzionet e Këshillit të vitit 2022.
Kjo mbetet një sfidë politike dhe institucionale që nuk mund të injorohet. Çështjet e hapura duhet t’i zgjidhim përmes një dialogu serioz, duke respektuar detyrimet evropiane, procedurat demokratike dhe shqetësimet legjitime të qytetarëve”, deklaroi Bekim Sali.
Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, kritikoi raportin duke thënë se nuk është evidentuar përparim në fushat kyçe. “Do të thosha se raporti është katastrofal.
Nuk ka asnjë përparim në asnjë fushë kyçe, në diçka që nga ne e kërkojnë dhe e presin partnerët tanë të huaj dhe BE-ja, por edhe qytetarët.
Nuk ka asnjë përparim në gjyqësor, në luftën kundër korrupsionit, në legjislacionin zgjedhor, nuk ka asnjë përparim në media.
Por këtë ne e dimë këtu, sepse e jetojmë çdo ditë”, tha Venko Filipçe.
Antonio Milloshoski nga OBRM-PDUKM theksoi rëndësinë e unitetit mes partive për kushtet që i vendosen Maqedonisë. “Nëse për diçka duhet të bashkohemi, është që shteti të vlerësohet sipas standardeve dhe arritjeve.
Nuk pretendoj se jemi idealë, kemi ende shumë dobësi që duhet t’i përmirësojmë, por kemi edhe pika të forta që duhet t’i respektojmë dhe t’i avancojmë.
Por, nëse për diçka nevojitet arbitrazh, është që të mos lejohet që kontestet dypalëshe, politike dhe të imponuara të bëhen pjesë e kritereve të Kopenhagës”, tha Antonio Milloshoski.
Raporti i Komisionit Evropian u publikua më 4 nëntor, ndërsa mesazhi kryesor është se Maqedonia ka shënuar përparim në disa reforma, por se ky përparim nuk është i mjaftueshëm për të çuar përpara negociatat me BE-në.
Nevojiten rezultate konkrete në sundimin e ligjit, reformën e institucioneve dhe përmbushjen e detyrimeve të marra përsipër, veçanërisht ndryshimet kushtetuese.