Në selinë e Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) të KFOR-it në Prishtinë, u mbajt ceremonia e ndërrimit të komandës.
Koloneli Gianfranco Di Fiore i dorëzoi detyrën komandantit të ri, kolonelit Steven Chenet.
Ceremoninë e udhëhoqi komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Roberto Vergori.
Gjatë komandimit të kolonelit Di Fiore, Regjimenti MSU ka luajtur një rol të rëndësishëm në aktivitete të përditshme të misionit, përmes pranisë së vazhdueshme në terren, patrullimeve në këmbë dhe me automjete, si dhe monitorimit të situatës së sigurisë, sidomos në veri të Kosovës.
Njësia gjithashtu ka zhvilluar iniciativa për të mbështetur institucionet dhe komunitetet lokale, me qëllimin e ndërtimit të besimit ndërmjet qytetarëve.
MSU ka marrë pjesë në trajnime dhe ushtrime të përbashkëta me njësitë e tjera të KFOR-it, Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policinë e Kosovës.
Këto aktivitete, sipas KFOR-it, synojnë forcimin e bashkëpunimit, koordinimit operacional dhe rritjen e aftësive për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë.
Gjatë ceremonisë, gjeneralmajori Roberto Vergori vlerësoi kontributin e pjesëtarëve të MSU-së në misionin e NATO-s në Kosovë, duke theksuar se puna e tyre duhet të udhëhiqet nga profesionalizmi, përkushtimi, disiplina dhe paanshmëria. “Ky është thelbi i misionit tonë: t’u shërbejmë dhe t’i mbrojmë qytetarët e Kosovës, pa dallim dhe me paanshmëri absolute”, ka thënë Vergori.
Ai theksoi se besueshmëria nuk fitohet vetëm me fjalë, por ndërtohet përmes veprimeve, vendimeve dhe mënyrës se si pjesëtarët e misionit përmbushin përgjegjësitë e tyre të përditshme.
Sipas tij, angazhimi i përbashkët i pjesëtarëve të KFOR-it është kyç për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për garantimin e lirisë së lëvizjes.
Njësia e Specializuar Shumëkombëshe (MSU) përbëhet kryesisht nga karabinierë italianë, ndërsa ka edhe pjesëtarë të policisë ushtarake nga vende të tjera.
Ajo ofron KFOR-it kapacitete të specializuara, veçanërisht në menaxhimin e rendit publik dhe kontrollin e turmave dhe trazirave (CRC).
Me këto kapacitetet, MSU kontribuon në zbatimin e mandatit afatgjatë të KFOR-it, të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara.