“Jakup, që tri ditë po vij te kjo derë.
Tri ditë po pres me ta pa fytyrën, me ta ni zanin, me të përqafu.
Kjo derë dikur hapej pa trokitë.
Por sot, për me hi në shtëpinë tem, duhet me kërku leje”.
Kështu e nisi monologun në Fiks Fare, Daut Krasniqi, 87 vjeç, vëllai i Jakup Krasniqit, i dënuar padrejtësisht nga Dhomat e Specializuara në Hagë disa javë më parë.
Ai priti me bastun në dorë për më shumë se 72 orë, vetëm për të takuar vëllanë, i cili kishte ardhur në Kosovë për shkak të sëmundjes së bashkëshortes. “Thuaji atij që sot e quan veten zot të kësaj shtëpie se unë nuk jam i huej.
Me ty kam pi të njëjtin gji të nanës, në të njëjtin djep jemi përkundë, bukën e kemi nda përgjysmë.
Teshat e mia i ke veshë ti, e të tuat unë.
Jam Dauti, Jakup.
Vëllai yt!” Ai tregoi përjetimet e tij gjatë orëve para banesës së Jakupit. “Kur isha te porta, përfytyrova flokët e tu, fytyrën dhe zanin që dikur më thërriste.
Deshta veç me të kapë për qafe e me të thanë: ‘Qysh je, bre vëlla?’.
Por u largova, me zemrën copë.
Jo pse nuk deshta me të pa, por pse nuk deshta me të sjellë telashe.
Due veç me të pa, me ta shtrëngue dorën, nuk due që vitet e fundit të jetës sime të kalojnë pa ta dhanë edhe një përqafim”, tha Dauti, me zërin që i dridhej dhe me lot në sy.
Në fund, ai kishte një tjetër mesazh për vëllanë: “Unë kam me të pritë, vëlla edhe pse jam 87 vjeç”.
Pamja e tij me bastun te porta e Jakupit u bë virale, pasi ai qëndroi aty për më shumë se 4 ditë, duke kërkuar me ngulm që të takonte ish zërin e UÇK-së.
Tentativat për takimin dështuan, pasi mbesa e tij e kishte telefonuar dhe i kishte thënë se takimi mund të ndalonte vizitën e babait të saj.
Një vizitë e mbushur me emocione të forta, por edhe me dhimbjen e një takimi të munguar.
Takimi me vëllanë mbeti peng për Dautin, një mall që nuk mori përgjigje, duke treguar se ndonjëherë dhimbjet më të mëdha nuk kanë nevojë për shumë fjalë.
Jakup Krasniqi është një emër që mbart histori, sakrificë, krenari dhe dhimbje.
Ai iu kushtoi një pjesë të madhe të jetës çështjes së Kosovës dhe lirisë së popullit të tij.
Një njeri që koha nuk e harron, sepse emri i tij është i lidhur ngushtë me kujtesën dhe historinë e një populli.
Dhe ndërsa liria është histori e shkruar me sakrifica, në këtë rrugëtim të Jakup Krasniqit, përfaqësohet historia e vetë shtetit të Kosovës.
Ai u arrestua më 4 nëntor 2020 dhe u dënua me 25 vite burg nga Gjykata e Hagës, duke treguar se historia e tij është ende në vazhdim.